983 ditë jashtë futbollit, lojtari i Chelseat frikësohej se nuk do të mund të ecte më

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Lojtari që është huazuar shpesh nga Chelsea, Marco van Ginkel, është kthyer te PSV-ja në Eredivisie të Holandës. Ai kishte pësuar një infeksion gjatë operimit të gjurit, që gati i përfundoi karrierën. Tani Van Ginkel është i lumtur që po mund të luajë sërish

Eindhoven, 9 shkurt – “Nuk ishte 100 për qind, sigurt. Mendoj se ishte 50 – 50 që karriera ime do të shpëtonte”.

Kur lojtari në huazim i Chelseat, Marco van Ginkel vendosi për një procedurë serioze, por jo të pazakontë kirurgjikale për të riparuar ligamentin kryqëzor, në verën e vitit 2018, ai nuk ka mundur të parashikojë ferrin që do të duhej të kalonte para se të luante ndeshjen e ardhshme të futbollit.

Pasi kishte shënuar 14 gola në 28 ndeshje si lojtar i huazuar te PSV-ja holandeze në kampanjën paraprake, mesfushori po hynte në fazën më të mirë të karrierës, para ditëlindjes së 26-të.

Advertisement

Por pasi pësoi një infektim gjatë operimit, ka pasur kohë kur holandezi ka dyshuar nëse do të jetë në gjendje të luajë sërish. Ai u detyrua t’u nënshtrohej tri operimeve brenda gjashtë ditëve, para se të kalonte tre muaj me antibiotikë, gjatë së cilës periudhë u operua edhe tri herë të tjera.

“Rreziku ka ekzistuar që të humb karrierën time”, ka thënë Van Ginkel në një intervistë për “goal.com”.

“Sidomos në javën e parë pas infektimit, mjekët nuk e kanë ditur se cili është ndikimi i tij. Pas tre muajve kam reaguar mirë, por ishte e vështirë që të kthehem sërish në nivel të lartë, të kthehem dhe të luaj për PSV, Chelsea apo ndonjë klub tjetër. Në atë moment pyetja ishte më shumë nëse do të mund të ecja sërish. Futbolli nuk kishte rëndësi. Infeksioni erdhi gjashtë javë pasi operacioni dëmtoi gjurin tim. Për këtë zgjati shumë, ka dëmtuar gjurin tim dhe ligamentin. Është dashur të operohem sërish. Ishte kohë shumë e vështirë”.

Van Ginkelit i është thënë se gjëra të tilla mund të ndodhin, por vetëm te një nga 200 të operuar.

Advertisement

“Infektimi normal kërkon vetëm antibiotikë dhe ju jeni në rregull. Por i imi ishte më i rëndë, kështu që isha në antibiotik për tre muaj. Është dashur ta pastrojnë gjurin tim edhe tri herë të tjera nëpërmjet operimeve. Ishin kohë të rënda. Emocionalisht dhe mentalisht ishte shumë vështirë. Por unë jam person shumë pozitiv. Mendoj se të gjithë që më njohin do të thonë këtë dhe kjo më mbajti gjallë me siguri. Por nuk e mohoj se kam pasur disa ditë shumë të vështira”, ka theksuar 28-vjeçari që po luan sërish te PSV-ja si i huazuar nga Chelsea. Van Ginkel i ka tetë ndeshje për Holandën.

Ai ishte transferuar te Chelsea në vitin 2013 nga Vitesse, por ka luajtur vetëm katër ndeshje për të kaltrit. Ai ka luajtur në huazim te PSV, Stoke City dhe te AC Milan.

Van Ginkel ka pasur kohë të tepërt për të menduar për gjërat që nuk kanë shkuar dhe fatin e tij të keq. Kanë kaluar 983 ditë në mes të dy ndeshjeve të tij. Ka kaluar shumë kohë në qendrën stërvitore të Chelseat gjatë rikuperimit.

Lojtari po ashtu ka investuar në patundshmëri dhe ka njoftuar për fejesë me të dashurën shumëvjeçare para se të kthehej në fushën e blertë për ndeshje zyrtare, muajin e kaluar. Luajti fillimisht për PSV-në ndaj AZ Alkmaar.

Advertisement

“Më është dukur si debutim, sërish. Ne kemi humbur ndeshjen, por unë e kam festuar momentin, së bashku me familjen. Ishte e rëndësishme, ishte e arritur e madhe për mua”.

Van Ginkel i ka luajtur edhe dy ndeshje të tjera këtë vit, ndërsa po shikon para për të kthyer karrierën në rrugën e duhur. Kontrata e tij me Chelsean është vazhduar deri në qershor të këtij viti.

“Fokusi im është vetëm te PSV-ja për momentin dhe për gjërat e tjera do të shohim. Nëse do të kthej nivelin që kisha, atëherë e di se kam kualitet. Por fokusi është te PSV për momentin. Dua më tepër minuta në ndeshjet e ardhshme. Synimi është të bëhem më i mirë çdo ditë. Nëse nuk e keni këtë në mendje, nuk do të ktheheni asnjëherë pas një lëndimi shumë të vështirë. Unë thjesht jam i lumtur që po luaj sërish”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy