Arsyeja e pazakontë që e la Musa Hajdarin jashtë Evropianit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prishtinë, 5 mars – Me shpresë për një rezultat të pranueshëm dhe i përgatitur maksimalisht, atleti Musa Hajdari u nis për në Aeroportin e Prishtinës për ta bërë udhëtimin për në Torun të Polonisë, ku tashmë po mbahet Evropiani i atletikës në palestër. Udhëtimi ishte planifikuar të bëhej përmes Vjenës e Varshavës, por për njërin prej atletëve më të mirë në vend ai nuk u realizua.

Arsyeja nuk është e zakontë.

Pjesa tjetër e delegacionit të Kosovës e bëri udhëtimin e planifikuar, por jo edhe atleti 33-vjeçar nga Kamenica, që ka përfaqësuar vendin në ngjarjet më të mëdha të “mbretëreshës së sporteve”.

Hajdari kishte biletën, kishte edhe vizën Shengen, por prapë udhëtimi nuk iu mundësua pikërisht për shkak të vizës. Dhe të premten, në vend se të ishte në shteg në Torun, Hajdari qëndronte në shtëpinë e tij. Ai është dashur të garonte në 800 metra vrapim.

Advertisement

“Kam shkuar deri në aeroport dhe isha gati për udhëtim. Unë në pasaportë e kam një vizë valide Shengen, të lëshuar nga Suedia. Ajo është e vlefshme deri në muajin maj. Kur folëm me Ambasadën e Polonisë në Shkup na thanë se nuk mund të lëshohet vizë mbi vizë, duke ditur që unë e kam një të tillë në pasaportë dhe që ka afat edhe disa muaj. Por, ndryshe na thanë nga agjencia prej së cilës janë blerë biletat, pasi shkuam në aeroport. Më thanë që për shkak të situatës me COVID-19 udhëtimi mund të realizohet vetëm nëse kam vizë të vendit ku është destinacioni. Në këtë rast, vizë të Polonisë. Kjo ishte absurde, por unë e kisha të pamundur të udhëtoja”, ka thënë Musa Hajdari të premten për KOHËN.

Federata Atletike e Kosovës nuk ka njoftuar për Evropianin, e as për telashet e Hajdarit.

“Agjencia prej së cilës është blerë bileta ka pyetur në Vjenë për udhëtimin tonë dhe, sipas saj, sistemi nuk lejonte që unë të udhëtoja. Pra, më kanë thënë se duhet të kem vizë të lëshuar nga Polonia për ta realizuar udhëtimin. Kjo ishte vërtet shumë dëshpëruese për mua. Për një arsye absurde e kam humbur paraqitjen në Evropian. Kam punuar shumë për këtë evropian, kam stërvitur, por në fund e kisha të pamundur të udhëtoja, pa fajin tim”, ka shtuar atleti i klubit Rogana.

Hajdari rezultatet më të mira i ka në 800 e 1500 metra vrapim. Ka kohë që e prezanton vendin në ngjarjet e mëdha.

Advertisement

“Ishte një befasi e pakëndshme, por tani po shikoj para drejt garave të tjera, ngjarjeve të tjera. Natyrisht me shpresë se nuk do të kem telashe të kësaj natyre. Sikur të na tregonin me kohë, unë do të pajisesha me vizë të Polonisë. Për pjesën tjetër të delegacionit, vizat nga Ambasada e Polonisë në Shkup janë lëshuar brenda gjysmë ore. Pra, nuk kishte telashe për to. Por, mua më thanë se nuk kam nevojë për shkak se në pasaportë kam vizën valide Shengen. Ndryshe më thanë kur duhej të udhëtonim dhe kur ishte e pamundur të merrej vizë tjetër”, ka shtuar Hajdari.

Për në Torun kanë udhëtuar një garuese, një trajner dhe një zyrtar i FAK-ut. Evropiani i 36-të i atletikës në palestër ka nisur të enjten dhe përfundon të dielën.

Të premten garoi Albina Deliu në 800 metra vrapim, që dëshpëroi me rezultat. Ajo ishte e fundit prej 34 garueseve që përfunduan garën. Një garuese u diskualifikua, ndërsa Deliu ishte e fundit, me kohë prej 2:14.06 minuta. E parafundit kishte kohë prej 2:08.62 minuta.

Atletët kosovarë kishin rezultate të dobëta edhe në Ballkanikun për seniorë në palestër, të mbajtur javë më parë.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy