Berat Sadik i pandalshëm në Qipro, udhëheq në listën e realizatorëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prishtinë, 8 janar – Një sulmues shtatlartë shqiptar po shquhet me golat që po i shënon në kampionatin qipriot. Nuk bëhet fjalë për Atdhe Nuhiun, reprezentuesin e Kosovës. Bëhet fjalë për Berat Sadik, ish-sulmuesin e Finlandës, që aktualisht është realizatori më i mirë i divizionit të parë të Qipros. Sadik ka shënuar dhjetë gola deri më tani, aq sa i ka edhe Nicolas Diguiny. Por Sadik ka një ndeshje më pak se Diguiny.

Sadik 34-vjeçar është nga Shkupi, por i rritur në Finlandë. Te skuadra Doxa Katokopias po luan për herë të dytë dhe po shkëlqen për herë të dytë. Te kjo skuadër ka luajtur edhe prej vitit 2017 deri në fillim të vitit 2019. Në edicionin 201718 kishte shënuar 18 gola në 30 paraqitje, ndërsa në pjesën e parë të edicionit 2018/19, realizoi 12 gola në 12 paraqitje. Tani ka arritur në shifrën e dhjetë golave në 16 paraqitje, ndërsa synon dyfish më shumë gola deri në fund të kampionatit. Pas javës së 18-të, Doxa renditet e shtata.

“Deri më tani ky edicion ishte i mirë për mua, edhe pse çdoherë mendoj se ka hapësirë për më mirë. E di se çfarë niveli kam dhe vazhdimisht i bëj vetes presion për të dhënë maksimumin. Nuk më befasojnë paraqitjet që i kam pasur. E falënderoj Zotin që nuk kam pasur ndonjë lëndim dhe kam mundur t’i përkushtohem punës time”, ka thënë Berat Sadik për KOHËN, të premten.

Pas karrierës fillestare në Finlandë, Sadik ka luajtur në Gjermani (Bundesligë), Belgjikë, sërish në Finlandë, Zvicër, Rusi, Spanjë e Qipro. Ka një gol në 12 paraqitje për Finlandën. Për Finlandën së fundi ka luajtur në vitin 2018.

Advertisement

“Dhjetë gola e pesë asistime në 16 ndeshje është vërtet statistikë që më bën të kënaqur. Si sulmues, sa herë që futem në fushë e kam mendimin që pa shënuar gol të mos përfundojë ndeshjen. Synimin e kam që në çdo lojë të shënoj gol. Nuk është lehtë, por nëse në fund i kam 20 gola, besoj se do të jem i kënaqur unë dhe skuadra”, ka shtuar Sadik.

Vetëm te HJK Helsinki në Finlandë dhe te Thuni në Zvicër, Sadik ka shënuar numër të madh golash si te Doxa.

“Në sezonin e parë te Doxa kam pasur shumë përshtypje të mirë. Kam pasur sukses dhe e kam fituar respektin maksimal të presidentit, trajnerëve dhe të gjithëve në klub. Kështu që kthimi nuk ishte i vështirë dhe po del shumë i suksesshëm”.

Ai thotë se niveli i futbollit në Qipro është shumë i lartë. Sulmuesi i Kosovës, Nuhiu, luan te APOEL Nikosia, ndërsa nuk ka realizuar gol në 11 paraqitje kampionale.

Advertisement

“Niveli i futbollit në Qipro është i lartë dhe po rritet vazhdimisht. Ekipet investojnë për të siguruar daljen në Evropë. Sjellin lojtarë të nivelit të lartë. Çdo stinor ka skuadra qipriote në Evropë”, ka shtuar Sadik.

Image

Ai ka kontratë deri në verën e vitit 2022 dhe e sheh veten edhe disa vjet në futboll. Fizikisht ndihet shumë mirë, ndërsa është i bindur se mund të jap ende si sulmues.

Nëse vazhdon me gola, Sadik mund të jetë kandidat edhe për përfaqësuesen e Finlandës.

“Unë jam i koncentruar vetëm në ekipin tim. Nëse trajneri i Finlandës mendon të më ftojë të luaj për Finlandën, atëherë do të flasim për atë. Por fokusi im është te Doxa”, ka theksuar Sadik.

Advertisement

Këtë edicion janë edhe disa sulmues shqiptarë që janë shquar me numrin e madh të golave në vende si Finlanda, Suedia e Norvegjia. Por në top-ligat evropiane, futbollistët shqiptarë nuk janë lart në listën e realizatorëve.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy