Boksierja Sadiku mirëpret sparingun me medalisten olimpike para turneut kualifikues

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Donjeta Sadiku e njeh goxha mirë boksieren nga Finlanda, Mira Potkonen. Ka pasur rastin ta shohë edhe nga afër. Por ajo kurrë nuk është përballur me të në ring, ndonëse është në të njëjtën kategori me fituesen e medaljes olimpike në lojërat olimpike “Rio 2016”. Mundësinë për të parë formën e saj, Sadiku do ta ketë nga 9 deri më 22 prill. Sadiku ka marrë ftesë nga Federata e Boksit e Finlandës për të qenë pjesë e përgatitjeve në Tampere të Finlandës. Gjatë kësaj periudhe, Sadiku do të jetë edhe partnere e sparingut për boksieren 40-vjeçare që e pati fituar medaljen e bronztë në kategorinë 60 kilogramë, ndërsa suksese të mëdha pati edhe në kampionatet botërore dhe evropiane. Në këtë të fundit ka fituar dy medalje të arta dhe një të argjendtë, ndërsa ka edhe dy medalje të bronzta të fituara në Botërorin e viteve 2016 dhe 2019. Ka edhe suksese të tjera më të vogla, por ajo vlerësohet ndër më të mirat në kategorinë e saj.

Sadiku insiston se përgatitja në Finlandë ka qenë e paplanifikuar, por thotë se do t’i shërbejë shumë për përgatitje për turneun kualifikues për Lojërat Olimpike që mbahen në Tokio gjatë verës së këtij viti. Turneu kualifikues do të vazhdojë në Paris të Francës prej 4 deri më 8 qershor.

Turneu gjatë muajit mars të vitit të kaluar u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës dhe rritjes së presionit ndaj organizatorit pas situatës së krijuar me COVID-19. Në fakt, kishte nisur më 14 mars, por u pezullua pas dy ditësh nga një organ i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që ishte përgjegjës për organizimin e turneut.

Sadiku është dashur të boksonte në 1/8 e finales kur turneu u pezullua. Ajo ka thënë se do të mundohet ta shfrytëzojë mundësinë e vetme për ta fituar një medalje, që do t’ia siguronte edhe kualifikimin për në Tokio, ku këtë verë do të mbahen Lojërat Olimpike.

Advertisement

“Sparingu me boksieren nga Finlanda, Mira Potkonen në fakt ka qenë i paplanifikuar nga ana jonë. Me Mira Potkonenin kemi marrë pjesë në gara të ndryshme, por asnjëherë nuk jam përballur me të. Më erdhi një ftesë nga ana e Federatës së Boksit të Finlandës, ku më ofruan një sparing 13-ditorë me boksieren finlandeze. Për mua është një ftesë e mirë dhe e mirëseardhur, sepse bëhet fjalë për një boksiere të kalibrit botëror, gjë që më ndihmon shumë dhe është e mirë për të ardhmen time. Ky sparing do të më ndihmojë shumë për përgatitje para turneut kualifikues në Paris për Lojërat Olimpike që mbahen këtë verë”, ka thënë Sadiku të mërkurën për KOHËN.

Në fakt, turneu kualifikues në Paris është edhe gara e vetme ku Sadiku shpreson në sukses për të fituar normë olimpike.

Për shkak të situatës së rënduar me koronavirus, Task-Forca e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka bërë të ditur pak kohë më parë se ka anuluar përfundimisht turneun kualifikues botëror të paraparë të mbahej në muajin qershor në Paris, që njëherësh ishte edhe mundësia e dytë për Sadikun për të siguruar normë olimpike.

Tani asaj i mbetet të ketë suksese në turneun e nisur vitin e kaluar, ku e fitoi meçin e parë kundër gjermanes Maya Kleinhans, ndërsa luftën e dytë e ka përballë suedezes Agnesa Lexiussion.

Advertisement

“Në turneun kualifikues që nisi në Londër kam qenë në formë shumë të mirë, mirëpo shtyrja për një vit është ende më mirë për arsye se kam marrë pjesë edhe në turne të ndryshëm, ku kam fituar edhe më shumë përvojë”, është shprehur Sadiku.

Sadiku e kategorisë 60 kilogramë është kthyer në ring pas rifillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, pas ndërprerjes shkaku i pandemisë. Ka fituar medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor në Sofje të Bullgarisë. Sadiku në vjeshtën e vitit të kaluar mori pjesë në dy turne, që për të ishin të mirëseardhura. Donjeta është bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, derisa suksesin më të madh e ka në vitin 2016. Fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë. Ajo dy herë u pengua të marrë pjesë në botërorët e organizuar në Indi. India ia pamundësoi pjesëmarrjen në Botëror, një herë si juniore dhe së fundi si seniore, shkaku që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Aktualisht, Kosova e ka të konfirmuar vetëm një normë olimpike. Mundësi Egzon Shala do të jetë pjesëmarrës në Tokio, kurse xhudoja synon të shkojë me pesë norma olimpike. Pesë xhudistë janë në zonën që siguron normë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy