Broja dështoi të kalonte te Sivasspori, por s’ka humbur shpresat për të lëvizur në Evropë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Rron Broja kishte një arsye të fortë kur në janar të vitit 2018 zgjodhi t’i bashkohej Shkupit, atëbotë skuadër më e vogël se Trepça ’89 prej ku edhe u transferua. Insiston se nuk e kishte planifikuar të largohej nga Mitrovica deri në verën e atij viti. Por, premtimet që pati marrë thotë se kanë shtyrë që të lëvizë drejt Shkupit, ekip që garon në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Premtimi i dhënë mbeti vetëm në letër, ashtu siç thotë se kishin mbetur edhe shumë premtime të tilla derisa kishte luajtur në Kosovë.

Mesfushori nga Mitrovica vazhdon të mos e dijë arsyen se pse i dështoi kalimi te skuadra e Sivassporit të Turqisë. Thotë se ishte goxha afër të nënshkruante kontratë me klubin që garon në Superligën turke. Por, pse i dështoi kalimi i tij në Turqi, ai ende nuk e ka kuptuar. Nuk pret edhe ta kuptojë, meqë thotë se i përket të kaluarës. Mirëpo, Broja pret që gjatë verës së këtij viti të nënshkruajë kontratë për ndonjë klub evropian. Ai është një nga futbollistët kyçë te skuadra e Partizanit të Tiranës, që është në garë për titull të kampionit në Shqipëri.

“Para se t’i bashkohesha Shkupit mora premtime të mëdha. Por, kalimi te Sivasspori dështoi në fund. Isha goxha afër. Ka qenë e komplikuar dhe nuk e di as vetë se çfarë ndodhi. Por, ajo që e di është se dështoi. Nuk kam ndonjë informatë shtesë, por besoj se dështimi ndodhi prej menaxherëve. Shqipëria ka ligë më të fortë. Ka biseda, por ende asgjë konkrete. Përvoja te Shkupi ka qenë shumë e mirë. Kam kaluar shumë mirë atje dhe sot ende mbaj kontakte shumë të mira me shumë persona”, ka thënë Broja të mërkurën për KOHËN.

Në fakt, Broja në verën e vitit 2015 nga Trepça ’89 kaloi tek ekipi rezervë i Gentit të Belgjikës. Nga ekipi i dytë i Gentit u huazua te Deinze, ekip tjetër belg. Por, as në njërën, e as në skuadrën tjetër nuk luajti. U kthye te Trepça ’89 në verën e vitit 2016, skuadër me të cilën fitoi titullin e kampionit dhe u paraqit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Luajti në të dyja ndeshjet që Trepça ’89 i humbi nga skuadra e Ishujve Faroe, Vikingur.

Advertisement

“Në Belgjikë kam pasur dy lëndime dhe mbeta shumë kohë jashtë fushave, dhe ishte koha të bëja ndonjë lëvizje tjetër. Tash kam më shumë përvojë dhe sigurisht kur një lojtar piqet më shumë, atëherë gjërat janë më të lehta”, ka deklaruar Broja.

Ai pret që premtimet e marra gjatë kësaj periudhe t’i realizohen në verë. Ai është pjesë e Partizanit, ku në këtë edicion i ka luajtur 18 ndeshje në elitën e futbollit shqiptar dhe dy të tjera në Kupën e Shqipërisë.

Në të vërtetë, shumë lojtarë kosovarë zgjedhin klubet e rajonit, qoftë edhe modeste, për të dalë më lehtë në Evropë. Shumica e kanë bërë këtë përmes klubeve të Shqipërisë, por ka edhe të tillë që direkt nga Kosova kanë firmosur kontrata me klube evropiane.

“Deri në fund të këtij sezoni jam pjesë e Partizanit e më pas të shohim sepse më përfundon kontrata. Ka fjalë nga menaxherët dhe shpresoj të bëhet diku, pasi deri në fund po vjen puna dhe pastaj askush nuk po kryen punë. Por, besoj që do të bëhet diku këtë herë. Shpresoj të dalim edhe kampion dhe pastaj do të jetë edhe më e lehtë për mua”, është shprehur Broja.

Advertisement

Futbollisti 24-vjeçar është i kënaqur me paraqitjet e tij në kampionatin shqiptar ndërsa shpreson të kthehet edhe te përfaqësuesja e Kosovës.

Para se të luante për Kosovën, Broja i luajti pesë ndeshje për Shpresat e Shqipërisë. Tri ndeshje më shumë luajti edhe për Shpresat e Kosovës, ndërsa në janar të vitit të kaluar luajti për Kosovën B kundër Suedisë B. Ai ishte ftuar edhe për ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhani më 22 janar të vitit 2018. Por, ajo ndeshje u pat anuluar.

“Në Shqipëri gjërat po shkojnë mirë, shumica e ndeshjeve kanë qenë pozitive. Është koha dhe shpresoj që gjatë verës të arrij të transferohem jashtë vendit. Me kalimin tim te ndonjë skuadër të mirë ku do të aktivizohesha rregullisht, besoj se do të isha kthyer edhe te Kosova”, ka thënë Broja.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy