Drita bën hapin e parë drejt titullit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Volejbollistet e Dritës e kanë fituar bindshëm ndeshjen e parë të finales së plejofit në Superligën e Kosovës.

Gjilanaset të premten mposhtën skuadrën prishtinase, M-Technologie, me rezultatin 3:0 në sete.

Ndeshja e dytë e serisë finale të plejofit do të luhet në fillim të javës së ardhshme në Prishtinë. Kampione shpallet skuadra që shënon tri fitore.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Lorik Ilazi, Drita, shfaqi formë të mirë të premten dhe nuk pati probleme në tri setet e zhvilluara.

Advertisement

“Është një finale me dy ekipet më të mira. M-Technologie është ekip i shkëlqyer. Ka treguar vlera të mëdha. Gjithashtu edhe në Kupë na ka mposhtur. Mund të them se është një nga ekipet më të mira, është ekip i shkëlqyer. Disa detaje të vogla ishin në të mirën tonë”, theksoi Ilazi pas ndeshjes. “Kemi pasur shumë mungesa si Ergysa Blloku, Rukije Muja e Arjola Prengu. Por ne do të luftojmë me këtë përbërje, në një finale me shumë rivalitet. Ishim më të koncentruar, më të përqendruar dhe nuancat e vogla e bënë diferencën. Nuk do të thotë se rezultati 3:0 duhet të na kënaqë, kemi shumë punë përpara. Finalja do shumë luftë, është vetëm një përparësi e vogël e jona. Vashat i përgëzoj për fitoren. Nuk është e lehtë të fitosh ndaj një ekipi me investime të mëdha. Shpresoj që në të ardhmen të shfaqim paraqitje të mira”.

Në të vërtetë në të tri setet u luftua deri në fund.

Skuadra e Dritës setin e parë e fitoi me rezultatin 25:21. Të dytin me pesë pikë epërsi, 25:20, ndërsa seti i tretë ishte më i niveluar.

Falë një serie 4:0 lojtaret e trajnerit Naser Krasniqi e ngushtuan rezultatin në 16:15. Në një moment edhe u barazuan shifrat në 19:19, por skuadra gjilanase nuk lejoi përmbysjen dhe e fitoi setin e tretë me rezultatin 25:19, duke e mbyllur ndeshjen e të premtes që u zhvillua në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan.

Advertisement

“Ndeshja e parë ka shumë rëndësi. Është fillimi. Sot patëm shumë gabime në organizimin e lojës, pasi organizatorja nuk ishte në nivel. Drita e shfrytëzoi këtë zbrazëti tonën. E mira është që ka shumë lojë. Duhet fituar tri lojë që të shpallet fituesi”, tha fillimisht Krasniqi, që nënvizoi se në këtë humbje ndikoi orari i ngjeshur që skuadra e tij e pati në javët e fundit.

“E kemi pasur orarin shumë të ngjeshur, si gjatë plejofit, si për Kupë. Drita ka qenë shumë më e relaksuar. Shpresoj që në të ardhmen do t’i përmirësojmë gabimet dhe të jemi më në nivel e të përgatitemi maksimalisht”.

M-Technologie është fituese e Kupës këtë edicion. Në finalen e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë më 27 mars e kishte mposhtur pikërisht Dritën me rezultatin 3:2 në sete.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy