Dukagjini në finale më shpejt se që ka pritur, tani kërkon ta fitojë atë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dukagjini ka kaluar në finalen e Kupës së Kosovës në futboll dukshëm më lehtë e më shpejt se që ka planifikuar. Skuadra klinase siguroi paraqitjen në ndeshjen e madhe pa e luajtur fare takimin e dytë gjysmëfinal kundër Istogut.

Pas ndeshjes së parë gjysmëfinale, të luajtur të mërkurën në udhëtim ndaj Istogut, Dukagjini ka bërë ankesë në Komisionin e Garave, me gjithë fitoren me rezultatin 2:1. Në ankesën e Dukagjinit thuhej se tek Istogu ishte aktivizuar lojtari Erion Çeta, i ndëshkuar ne ndeshjet e kaluara me dy kartonë të verdhë, që nuk lejohet në garat e Kupës së Kosovës. Pretendimin e Dukagjinit e ka konfirmuar të enjten Komisioni i Garave që ka marrë vendim ta regjistrojë ndeshjen me rezultatin zyrtar (3:0) në favor të Dukagjinit dhe ta eliminojë Istogun nga garat e mëtejme të Kupës së Kosovës.

“Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Kosovës e zhvilluar më 7 prill, KF Istogu – KF Dukagjini, regjistrohet me rezultat zyrtar 0:3 në favor të KF Dukagjinit. Istogu eliminohet nga garat e mëtejme të Kupës së Kosovës”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Çeta nuk ka pasur të drejtë loje në këtë takim për shkak se në garat e Kupës së Kosovës, futbollisti që ka dy kartonë të verdhë automatikisht pushon në ndeshjen e radhës. Çeta këtë edicion në garat e Kupës ishte ndëshkuar dy herë me karton të verdhë, ndaj Besës dhe ndaj ekipit A&N.

Advertisement

Tek Istogu kanë paralajmëruar ankesë në Komisionin e Apelit, për ta shfrytëzuar të drejtën juridike. Këtë e ka konfirmuar sekretari i klubit Istogu, Fatmir Hakaj për KOHËN. Ai ka pranuar se para ndeshjes me Dukagjinin ka qenë në dijeni për dy kartonët e mesfushorit Çeta, por ka menduar se ai ka të drejtën e lojës duke menduar se pezullimi automatik i tij do të vinte pas tre kartonëve të verdhë. Hakaj ka thënë se ishte një lëshim.

“Natyrisht që do të ankohemi menjëherë për shkak se kemi të drejtë dhe shpresojmë që ky vendim të shfuqizohet. Ishte një lëshim i paqëllimshëm nga ana jonë për shkak se kemi menduar se është me tre kartonë të verdhë. Nuk kemi pasur informatën se është me dy kartonë të verdhë. Shpresoj që ankesa jonë të merret parasysh dhe të mos eliminohemi në mënyrë të tillë”, është shprehur Hakaj.

Ndërkohë, kryetari i Istogut, Fazli Bytyqi, ka thënë se si klub nuk kanë qenë të informuar me rregullin e dy kartonëve dhe për këtë ka thënë se i ka fajet edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), që pas çdo ndeshjeje nuk ua dërgon klubeve buletinin për t’i mbajtur të informuar. Ai insiston se Istogu nuk meriton një eliminim të tillë nga Kupa e Kosovës, duke pasur parasysh se kishte bërë të pamundurën të organizonte ndeshjen e parë kundër Dukagjinit, nëpër një mot tejet të papërshtatshëm për lojë.

“Kemi menduar se lojtari pauzon pas tre kartonëve të verdhë dhe jo pas dy kartonëve të verdhë. Nuk kemi qenë në njohuri, sepse nuk kanë dërguar buletin. Nuk është korrekte të eliminohemi në këtë mënyrë, pasi Istogu asnjëherë nuk ka qenë i penalizuar dhe është ndër klubet më korrekte”, tha Bytyqi.

Advertisement

Përderisa tek Istogu po shpresojnë se pas ankesës do t’iu mundësohet ndeshja e dytë gjysmëfinale, te skuadra e Dukagjinit po mendojnë për kundërshtarin që mund ta kenë në finalen e Kupës së Kosovës. Në gjysmëfinalen tjetër Llapi e ka fituar ndeshjen e parë ndaj Prishtinës me rezultatin 3:2.

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, ka thënë se kualifikimi në finale është bonus, derisa triumfi në Kupë do të ishte “qershia mbi tortë”. Ai pranon se tani Dukagjini synon ta rrëmbejë trofeun, i cili do të ishte i pari në histori të klubit sa i takon Kupës.

Për Dukagjinin, kjo është hera e tretë që do të luajë në finalen e Kupës së Kosovës. Finalen e fundit e kishte luajtur para 25 vjetësh dhe e kishte humbur. Në fakt, në dy finalet e mëparshme, Dukagjini ka pësuar humbje. Në edicionin 1994/95 pësoi nga Prishtina (1:0), kurse në sezonin 1995/96 u mposht nga Flamurtari (2:1).

Dallku, që mori drejtimin e Dukagjinit në tetor të vitit të kaluar, ka pranuar se Kupa e Kosovës as që ka qenë fokus i klubit në kohën kur ai ishte emëruar trajner.

Advertisement

“Nuk kemi pasur synime në Kupë dhe as që jemi fokusuar. Në fakt në takimin e parë me ekipin kur jam emëruar trajner, jemi dakorduar që tërë fokusi ynë të jetë titulli i kampionit në Ligën e Parë, në mënyrë që të kthehemi menjëherë në Superligë, aty ku një ekip si Dukagjini edhe e ka vendin”, është shprehur Dallku.

“Fokusi nuk ka qenë në kupë, pasi nuk kemi pasur edhe lojtarë. Por pas përfundimit të fazës së parë, transferimeve që i kemi bërë, paraqitjeve të mira dhe fatit në short, kemi vendosur ta shfrytëzojmë këtë mundësi”.

Dallku ka insistuar se titulli i kampionit në Ligën e Parë është primar për ekipin e tij. Dukagjini edicionin e fundit ra nga Superliga dhe po synon që pas një viti të kthehet në elitën e futbollit kosovar. Aktualisht është lider i Grupit A me 43 pikë të mbledhura pas 21 xhirove të luajtura.

“Titulli është dhe do të mbetet primar, kurse Kupa do të jetë një bonus për ne. Finalen synojmë ta fitojmë dhe pse të mos luajmë edhe në Evropë për herë të parë në histori të klubit. Do të ishte diçka madhështore për ekipin tonë që ta mbyllë sezonin me dy trofe”, është shprehur Dallku.

Advertisement

Dallku e ka fituar Kupën e Kosovës me Prishtinën sezonin e kaluar.

“Një sukses i tillë edhe me Dukagjinin do të ishte shumë i mirë për mua që jam në fillim të karrierës si trajner. Me Prishtinën e kam fituar Kupën dhe duket sikur ia kam marrë dorën këtij trofeu. Mirëpo po e potencoj që titulli i kampionit në Ligën e Parë mbetet synimi ynë, ndonëse as në Kupë nuk do të dorëzohemi, sepse është vetëm një ndeshje dhe mund ta fitojmë me paraqitjet që i kemi treguar deri më tani”, u shpreh Dallku.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy