Dy derbi në Kupë, dy skuadra që synojnë Evropën eliminohen të martën

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me ndeshjet e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës në futboll do të nisin garat për këtë vit. Ndeshjet për Kupë janë prej të martës e deri të enjten, kurse në fundjavë nis stinori pranveror në Superligë.

Dy duelet kryesore të kësaj faze të Kupës do të luhen të martën. Fituesja e Kupës dhe e Superkupës, Prishtina, e pret kampionen në fuqi, Dritën, duel që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 13:00. Të dyja ekipet e kanë kryer fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Atje luajtën edhe ndeshjen e Superkupës, të cilën e fitoi Prishtina me shifrat 3:1.

Drita është lidere e kampionatit, kurse Prishtina është e treta me nëntë pikë më pak. Mbrojtësi i krahut të djathtë të Prishtinës, Gledi Mici, ka thënë për KOHËN se suksesin të cilin e arritën në Turqi duke e mposhtur Dritën në kuadër të Superkupës, do të synojnë ta përsërisin në Kupë. Ai e vlerëson Dritën dhe shpreson që të jetë ndeshje e bukur dhe me ritëm të lartë. Sipas Micit, terreni vendës do të jetë faktor pozitiv për Prishtinën.

“Do të luajmë dhe do të japim maksimumin tonë për të arritur fitore. Është një ndeshje e vështirë, por ne do të luajmë në fushën tonë dhe do ta shfrytëzojmë faktorin fushë. Po ashtu, edhe fitorja në Superkupë në jep motiv shtesë. Patjetër, besoj që suksesin të cilin e arritën në Superkupë, ta përsërisim edhe në Kupë. Drita është ekip kampion dhe është në vend të parë. Ka lojtarë me eksperiencë dhe shpresoj që të bëhet një ndeshje e bukur me ritëm të lartë”, tha Mici.

Advertisement

Te Prishtina do të mungojë sulmuesi Otto John, i cili vazhdon të qëndrojë në Nigeri. Ai është në pritje të pasaportës së Nigerisë, si dhe të lejeqëndrimit në Kosovë.

KOHA ka provuar të marrë edhe një prononcim nga shtabi teknik i Dritës dhe nga futbollistët e kësaj skuadre. Lojtarët e kanë të ndaluar të flasin, kurse trajneri Ardian Nuhiu nuk u është përgjigjur thirrjeve. Te Drita nuk pritet të luajnë dy futbollistët e huaj që erdhën në afatin kalimtar të janarit, Henry Austine Onoka dhe Esosa Pirestley Irogue.

Të martën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër që po ashtu pritet të jetë shumë interesante. Llapi në “Zahir Pajaziti” të Podujevës e pret Ballkanin. Edhe këto dy skuadra fazën finale të përgatitjeve e kanë kryer në Antalia, ku i kanë luajtur edhe disa ndeshje miqësore. Përderisa Ballkani është edhe në garë për titull të kampionit, Llapi është përqendruar më shumë kah Kupa për ta kërkuar Evropën.

Këtë e thotë edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Megjithatë, ai e pranon se Ballkani është favorit, por në të njëjtën kohë thotë se Llapi do të hyjë vetëm për fitore. Sipas Batatinës, ekipi që drejton nuk ka se çfarë të humbë.

Advertisement

“Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ballkani është favorit, pasi ka skuadër shumë cilësore dhe këtë e ka dëshmuar edhe në vjeshtë, ku shumicën e kohës ka qenë në vendin e parë, kurse në fund doli i dyti. Por, edhe përkundër kësaj, Llapi nuk ka çka të humbë dhe do të hyjë në këtë ndeshje vetëm për fitore. Prioritet i yni është Kupa, pasi në kampionat kemi mbetur prapa, andaj do të japim më të mirën për të kaluar tutje. Fazën përgatitore e kemi kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, lojtarët janë të motivuar dhe shpresojmë të arrijmë fitore për të kaluar tutje”, tha Batatina.

KOHA ka provuar të marrë një prononcim nga kampi i Ballkanit. Ky klub ua ka ndaluar lojtarëve që të flasim për media, ndërkohë trajneri Bledi Shkëmbi, i cili të martën do të debutojë në krye të ekipit nga Suhareka, ka thënë shkurt se Ballkani ka filluar me një strategji të re, ku para dhe pas çdo ndeshjeje do të ketë konferencë për media.

Drenica – Ulpiana është ndeshja tjetër që luhet të martën. Ky takim do të zhvillohet në fushën me bari sintetik në Drenas. Kjo, për shkak se fusha në Skënderaj nuk është e përshtatshme për lojë pas të reshurave të shiut dhe borës. Drenica nuk dëshiron të rrezikojë që ta dëmtojë fushën edhe më shumë.

Të mërkurën në program janë katër ndeshje. Në “Boka” të Korishës së Prizrenit A&N e pret Flamurtarin, duel ky i ekipeve që bëjnë gara në Ligën e Parë. Për ekipin A&N është hera e parë që ndodhet në këtë fazë.

Advertisement

Arbëria – Feronikeli, është ndeshja tjetër e 1/8 së finales së Kupës. Arbëria nga Dobraja e Lipjanit vazhdon të mos luajë në fushën e saj. Tani ekipi që po drejtohet nga trajneri Arbnor Morina do të luajë si vendës në Ferizaj. Pikërisht ndeshjen kundër Feronikelit do ta zhvillojë në Ferizaj, në fushën me bari sintetik.

Istogu që bën gara në Ligën e Parë, Grupi A, do të jetë nikoqir i Gjilanit. Istogasit që kanë synime për t’u inkuadruar në Superligë, do ta kenë përballë Gjilanin që synimin për të dalë në Evropë këtë vit e mbështet në Kupë, pasi në kampionat ka mbetur prapa.

Të mërkurën do të luajë edhe Trepça ’89, e cila në “Riza Lushta” e pret Ferizajn.

Dueli i fundit ku do të përcaktohet skuadra e tetë që do të kalojë në çerekfinale do të zhvillohet në Klinë, ndërmjet Dukagjinit dhe 2 Korrikut, të enjten.

Advertisement

Të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohet nga ora 13:00. Nëse brenda 90 minutash rezultati është i barabartë, do të luhen vazhdimet dy herë nga 15 minuta dhe nëse edhe në kohën shtesë nuk ka fitues, atëherë penalltitë do ta përcaktojnë skuadrën që kalon tutje.

Fituese e Kupës së Kosovës për vitin 2020 është Prishtina. Në finale e kishte mposhtur Ballkanin, 1:0.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy