Dy lojtarë të Bernës suspendohen për faulle të pazakonta ndaj yllit të Kosovës

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Hendbollisti Luigj Quni shquhet për shpirtin luftarak dhe për angazhimin. Te përfaqësuesja e Kosovës është në mesin e lojtarëve më të vlerësuar. Ai vlerësohet lart edhe te skuadra e elitës zvicerane, Amicitia Zuerich.

Quni, i lindur në vitin 1996, me angazhimin dhe lëvizshmërinë në mbrojtje e sulm u shkakton telashe të mëdha hendbollistëve kundërshtarë. Dy prej tyre, lojtarë të BSV Bernë, e kishin tepruar në përpjekje për të ndalur Qunin në një ndeshje të rëndësishme të luajtur më 18 mars.

Për mënyrën se si ata lojtarë janë munduar ta ndalnin Qunin, ka shkruar të enjten gazeta e madhe zvicerane “Blick”. Lojtarët në fjalë janë suspenduar për disa ndeshje, për sjellje josportive.

Simon Getzmann dhe Ante Kaleb e kanë kapur për prapanice Qunin, derisa lojtari kosovar ishte në fazën e sulmit. Ka pasur një moment tensioni në mes të Qunit dhe njërit prej dy lojtarëve të Bernës, por që është kontrolluar shpejt nga arbitrat e lojës. Megjithatë sjellja e dy lojtarëve nuk ka kaluar pa ndëshkim.

Advertisement

Skuadra e Qunit ia ka paraqitur pamjet televizive Federatës së Hendbollit të Zvicrës. Komisioni Disiplinor i Federatës më pas nisi hetime, që rrallë ndodh në hendbollin helvetik. Getzmann e Kaleb janë dënuar me tri, përkatësisht katër ndeshje për sjellje josportive. Ata janë prej lojtarëve kryesorë në skuadrën e Bernës.

Federata e ka konfirmuar për “Blick” dënimin ndaj dy lojtarëve. Dy lojtarët kanë munguar tashmë në ndeshjet e para për shkak të dënimit.

“Dy lojtarët natyrisht janë të vetëdijshëm se një veprim i tillë nuk duhet të vijë në konsideratë”, ka thënë drejtori sportiv i Bernës, Guido Frei. “Ne kemi mundur të apelonim vendimin me video-incizime tona. Por kemi pranuar vendimin”.

Edhe te Amicitia Zuerich e vlerësojnë punë të kryer incidentin.

Advertisement

“Kemi diskutuar incidentin me Bernën dhe me Federatën. Për ne është gjë e përfunduar”, kanë thënë te klubi nga Zuerichu.

I kontaktuar nga KOHA, Quni ka thënë se “Blick” ka shkuar pak larg. Ai ka treguar se nuk ka asnjë telash me lojtarët e Bernës. “Blick” ka shkruar se Quni njihet si lojtar që humb shpejt nervat. Por në atë ndeshje pivoti i Kosovës ka treguar qetësi të madhe dhe ka reaguar vetëm pasi lojtarët kundërshtarë e tepruan. Edhe te Kosova, Quni nuk ka telashe për të kontrolluar emocionet. Feston duelet e fituara, por shquhet për korrektësinë.

Berna e ka fituar atë ndeshje me 27:25. Quni ka realizuar tri gola nga tri tentime.

Ai tregon për KOHËN se lojtarët kundërshtarë nuk kanë zgjedhur mënyrë për ta ndalur, për faktin se në ndeshjen e kaluar ndaj Bernës kishte shkëlqyer duke realizuar gjashtë gola nga gjashtë tentime.

Advertisement

“Nuk kam pasur asnjë problem me lojtarët. Në ndeshjen e kaluar ndaj Bernës kisha shkëlqyer, duke realizuar gjashtë gola nga gjashtë tentime. Dhe lojtarët kundërshtarë kanë dashur të më pengojnë që mos të luaj mirë. Pra, nuk ka të bëjë me ndonjë problem me Bernën, pasi nuk kam të tilla. Përpjekjet e tyre ishin që të më pengojnë që mos të luaj mirë”, ka treguar Quni.

Më vonë, këtë muaj, ai grumbullohet me Kosovën për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Me fitore eventuale ndaj Malit të Zi, më 28 prill në Prishtinë, Kosova siguron Evropianin e vitit të ardhshëm. Ende asnjë përfaqësuese e Kosovës në sportet ekipore nuk është kualifikuar për në Evropian. Nëse këtë e arrin përfaqësuesja e hendbollit, do të ishte moment historik.

Prej Qunit pritet kontribut i madh në ndeshjen ndaj Malit të Zi. Së bashku me Bujar Ramosajn dhe Kastriot Jupën, ai përbën “murin e pakaluar” në mbrojtjen e Kosovës.

“Mezi pres të grumbullohem me Kosovën dhe të përgatitemi për ndeshjen që mund të jetë historike”, ka theksuar Quni.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy