Etrit Berisha i vendosur t’i përkrahë portierët e rinj kosovarë, hap akademi së bashku me Nezirin

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Etrit Berisha e di mirë rëndësinë e punës cilësore në moshë të re. E di se ajo është e domosdoshme për të synuar karrierë në nivelin e lartë të futbollit. Ai mund të flasë edhe për rrugëtimin e vështirë nga futbolli i Kosovës në nivelin e lartë të futbollit evropian.

Portieri Berisha e ka bërë këtë rrugë dhe tani po punon për t’i ndihmuar të rinjtë kosovarë për t’i realizuar ëndrrat që kanë të bëjnë me futbollin.

Berisha kontributin e tij e sheh me të rinjtë që aspirojnë karrierë si portierë. Për këtë arsye ka vendosur të hapë në Kosovë një akademi të portierëve. Në këtë projekt është së bashku me Flamur Nezirin, portierin që ka arritur suksese dhe ka bërë karrierë të lakmueshme në futbollin kosovar.

Etrit Berisha aktualisht është pjesë e Përfaqësueses së Shqipërisë dhe e ekipit italian SPAL, që garon në Serie B. 31-vjeçari Berisha është i përkushtuar t’i ndihmojë të rinjtë e talentuar, ndonëse ende pret të japë kontribut si portier në nivele të larta. Synimi i tij është të kthehet këtë vit në Serie A.

Advertisement

Berisha është i bindur se përvoja e tij dhe e Nezirit do t’u shërbejë shumë portierëve të rinj për të arritur në karrierë, sidomos për daljen në Evropë. Më shumë i angazhuar me punën me portierë fillimisht do të jetë Neziri, por Berisha ka premtuar ndihmë të madhe. Madje, do të kujdeset që herë pas here të sjellë edhe ndonjë trajner të portierëve nga skuadrat evropiane për të ndihmuar edhe më shumë në ngritjen e nivelit të talenteve.

“First Goalkeeper Academy” tashmë është hapur dhe qëllimi i saj është zhvillimi dhe avancimi i portierëve, kurse stërvitjet do të mbahen në fushën e skuadrës së 2 Korrikut, në Arbëri të Prishtinës. Në grupet me të cilat do të punohet nuk do të jenë më shumë se katër portierë.

Berisha është i entuziazmuar për akademinë e tij dhe beson se së bashku me Nezirin, të cilin e ka shok të mirë, do ta bëjnë një punë të madhe në ngritjen e nivelit të portierëve.

“Jam i lumtur për fillimin e këtij projekti, për shkak se ka qenë dëshirë e kamotshme që së bashku me Flamur Nezirin, që gjithashtu është portier, të bëjmë diçka për t’i ndihmuar portierët në Kosovë. Mendoj se është një mundësi e mirë për të gjithë, sepse jam i bindur që përvoja ime dhe e Nezirit do t’u shërbejë për të bërë hapa të rëndësishëm në karrierë. Synimi ynë është që t’i ndihmojmë dhe për këtë nuk do të kursejmë asgjë nga vetja”, është shprehur Berisha për KOHËN, të martën.

Advertisement

“Me bindje të plotë mund të them se përvoja që tashmë e kemi do të përcillet në mënyrën më të mirë te portierët e rinj. Ky edhe është qëllimi i kësaj akademie, e cila mendoj se i ka munguar futbollit tonë”.

Nga Kosova dalin fare pak portierë për nivele më të larta. Berisha është prej tyre. Ai hapat e parë i ka bërë te skuadra e 2 Korrikut përpara se në vitin 2008 të transferohej në Suedi te skuadra e Kalmarit. Pjesë e Kalmarit ishte deri në verën e vitit 2013, kur edhe bëri hapin e madh në karrierë duke u transferuar te Lazio në Serie A. Krahas Lazios, Berisha në elitën e futbollit italian ka bërë karrierë edhe tek Atalanta e SPAL-i, ndonëse me ekipin e fundit këtë sezon po luan në Serie B.

Berisha deri më tani ka regjistruar 63 paraqitje për Shqipërinë dhe ishte pjesë e kuqezinjve në “Euro 2016”.

“Besoj se kam përvojë të mjaftueshme për të kontribuuar edhe në zhvillimin e portierëve të rinj në Kosovë. Në akademi do të punohet me metodat evropiane, që i kam përdorur edhe unë. Pra, do të jetë një rast i mirë për avancimin e portierëve. Mendoj se me një punë të mirë mund të nxjerrim portierë për të ardhmen, që t’i transferojmë në Evropë, për shkak se kemi talente”, shtoi Berisha. “Krahas punës sime dhe të Flamurit, do të kujdesem që herë pas herë në akademi të sjell edhe ndonjë trajner të portierëve nga klubet e njohura të Evropës”.

Advertisement

I emocionuar për projektin e përbashkët me Berishën është Flamur Neziri, i cili ka luajtur për shumë skuadra të Superligës me të cilat ka fituar edhe trofe. Neziri karrierë ka bërë te Prishtina, Hysi, Besa, Feronikeli, Drenica, Flamurtari dhe tani është pjesë e skuadrës së 2 Korrikut, që bën pjesë në Ligën e Parë të Kosovës.

Ai beson se me punën që do të bëhet në akademi përfundimisht do të nxjerrin portierë për të ardhmen. Vlerëson se ka shumë të talentuar, por vetëm nevojitet punë profesionale, angazhim dhe disiplinë.

“Arsyeja kryesore është që në Kosovë ka shumë talente dhe menduam bashkë me Etritin që përvojat tona t’i kombinojmë dhe t’i ndihmojmë portierët për një karrierë sa më të suksesshme. Unë kam punuar me trajnerë të portierëve shumë të mirë dhe kam mësuar shumë nga secili. Idenë e kam pasur qe një kohë të gjatë. Gjatë pushimit gjithmonë kemi stërvitur së bashku me Etritin dhe e kam parë që stërvitjet që i aplikonim bashkë ishin me shumë detaje, që unë as nuk i kisha menduar më herët. Vazhdimisht ia kam kërkuar ushtrimet që i aplikonte te Lazio, Atalanta dhe SPAL-i, që personalisht më kanë ndihmuar shumë. Besoj që kemi portierë shumë të talentuar, vetëm se nevojitet karakter i fortë dhe punë shumë e madhe”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy