Federata ilegale nuk ndalet: Dy ndeshje në vit të “përzgjedhjes së Kosovës e Metohisë” me klube nga Serbia

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një organizatë ilegale që funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë po planifikon që seriozisht të sfidojë autoritetin e Federatës së Futbollit të Kosovës në vend. Pasi ka themeluar përzgjedhjet e “Kosovës dhe Metohisë” në grupmoshën e pionierëve dhe fatosave, e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” po punon për krijimin e përzgjedhjeve në grupmoshën e kadetëve e madje edhe në atë të seniorëve. Plani i kësaj organizate, që nuk e njeh autoritetin e Federatës së Futbollit të Kosovës, është që me përzgjedhjen e seniorëve të “Kosovës e Metohisë” të luajë dy ndeshje në vit me skuadrat nga Serbia.

Është Igor Uljareviq, kryetar i të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit të Kosovës dhe Metohisë” (FFKM) që ka zbuluar planet për të ardhmen.

Më herët, këtë javë, seleksionet e “Kosovës dhe Metohisë” në grupmoshën e pionierëve dhe fatosave, të përbëra nga lojtarë të komunitetit serb, kanë luajtur ndeshje me një skuadër në Kralevë. Sipas Uljareviqit, dita kur u luajtën ndeshjet ishte “historike për futbollin në Kosovë e Metohi”.

Advertisement

Për herë të parë janë themeluar përzgjedhje të tilla, që nënkupton se FFKM ka rritur aktivitetin në territorin e Kosovës. Sipas Uljareviqit, FFKM ka përkrahje të madhe nga Federata e Futbollit e Serbisë. Ai ka bërë të qartë se orientimi është kah Federata e Futbollit e Serbisë.

“Ne si regjion i futbollit të Kosovës dhe Metohisë dëshirojmë që të kthehemi në hartën e Serbisë. Mendoj se e meritojmë dhe kemi potencial, djem të talentuar që nesër mund të luajnë në reprezentacionin e Serbisë”, ka thënë Uljareviq të premten në një radio lokale të serbëve në Mitrovicën Veriore.

Ai ka paralajmëruar përzgjedhje të re të pionierëve, por ka shpalosur planet edhe për kadetët e seniorët.

“Do të ketë sërish seleksionim të pionierëve, pasi shumë fëmijë nuk i kemi parë. Do të bëjmë këto ndeshje seleksionimi çdo dy muaj. Te kadetët do të veprojmë njëjtë, ndërsa plani është që të bëhen edhe dy ndeshje në vit me seniorët. Që të formohet përzgjedhja seniore e regjionit të Kosovës dhe Metohisë. Kemi shumë të rinj tanë që luajnë nëpër Serbi dhe në vende tjera, që ta prezantojnë Kosovën dhe Metohinë në disa ndeshje miqësore kundër klubeve në Serbi, që mendoj se është gjë e jashtëzakonshme për futbollin në këto hapësira”, ka theksuar Uljareviq, përcjell “radiomitrovicasever.com”.

Advertisement

Sipas tij, politika nuk duhet të përzihet me sportin. Ai ka thënë se “Federata” që udhëheq, “do të gjejë mënyrën dhe miratimin e njerëzve të caktuar që nuk po na lejojnë që këto ndeshje t’i luajmë këtu”.

Pas zhvillimit të ndeshjeve në Kralevë, FFK-ja përmes një deklarate për KOHËN ka thënë se serbët e Kosovës me ndeshje të tilla vetëm po e dëmtojnë veten. FFK-ja nuk ka lënë të kuptohet se do t’i drejtohet UEFA-s apo FIFA-s për të ndërprerë këto aktivitete të Federatës së Futbollit të Serbisë në territorin e Kosovës.

“FFK-ja vazhdimisht u ka bërë thirrje serbëve lokalë që t’i kthehen realitetit dhe të ardhmen e tyre në futboll ta ndërtojnë duke qenë pjesë e garave zyrtare të FFK-së. Ne si organi i vetëm legjitim për organizimin e garave në futboll në Republikën e Kosovës përkujdesemi që t’u krijojmë mundësi të barabarta për zhvillimin e futbollit të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin. Ata, si kanë vepruar tani, po e dëmtojnë veten dhe nëse vazhdojnë kështu, gjithmonë do të mbesin duke luajtur ndeshje të tilla. Nëse ata e shohin të ardhmen e tyre në Kralevë e jo në garat që njihen nga UEFA e FIFA, është problem i tyre. Sidoqoftë, duhet ta dinë se perspektiva e tyre është në Kosovë dhe ne presim që të reflektojnë sa më parë, në mënyrë që të mos humbin kohë me improvizime të tilla”, thuhet në qëndrimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy