Historia e ekipit të femrave të Realit nuk mund të shkruhet pa Kosovare Asllanin

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kosovare Asllani është një karakter polarizues. Kohët e fundit, futbollistja është paraqitur shumë në shtypin e Madridit. Ka pasur edhe zëra për një largim të mundshëm të saj nga ekipi Real Madrid Femenino.

Mirëpo, një gjë është e sigurt – kur njerëzit shikojnë prapa në formimin dhe ngritjen e ekipit të femrave të Real Madridit, atëherë Kosovare Asllani është pjesë thelbësore e të gjitha zhvillimeve, përfshirë edhe suksesin.

Real Madridi si klub është bërë i famshëm edhe për transferimin e “galaktikëve” – talenteve të futbollit për shuma të mëdha të parave. Në dekadat e fundit në ekipin e meshkujve ka pasur shumë “galaktikë” që kanë bartur uniformat e bardha, duke filluar nga Zinedine Zidane e deri te Cristiano Ronaldo.

Ndërkohë më 18 korrik të vitit 2019, Kosovare Asllani u quajt “galaktikja” e parë e Realit. Ajo u transferua te CD Tacon, ekip që dy javë më herët kishte arritur marrëveshje për t’u transformuar në Real Madrid. Asllani është një lojtare e klasës botërore dhe e meritonte titullin që i atribuohej, shkruan sajti “managingmadrid.com”.

Advertisement

Ajo ka fituar shtatë trofe, duke përfshirë titullin e kampionit në Suedi dhe ka luajtur për klube me emër në futbollin e femrave, si Chicago Red Stars, Paris Saint-Germain e Manchester City. Asllani ka qenë për vite të tëra futbollistja kryesore te Përfaqësuesja e Suedisë, të cilën e ndihmoi të fitojë medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Rios dhe të përfundojë e treta në Kampionatin Botëror të vitit 2019. Sulmuesja nuk hezitoi për t’iu bashkuar një ekipi si CD Tacon, që saktësisht është Real Madridi, ku dëshmoi edhe një herë vlerat e saj. Normalisht një lojtare e kalibrit të saj nuk do ta merrte parasysh një klub të sapopromovuar. Por ajo e shfrytëzoi rastin, tregoi besim te projekti dhe e hapi derën për futbollistet e tjera të kalibrit të lartë.

Hapat e Asllanit i ndoqën edhe “Galaktiket” e tjera. Bashkëkombësja e saj, Sofia Jakobsson, nënshkroi për CD Tacon. Klubi gjithashtu arriti të ketë në radhët e veta edhe lojtaret si Aurelie Kaci, Babbet Peter, Chioma Ubogagu e Thaisa Moreno, që në të shkuarën kanë fituar Ligën e Kampionëve dhe titullin e botës.

Real Madridi para fillimit të këtij edicioni transferoi hiq më pak se nëntë lojtare të tjera. Këtë edicion klubi po garon si Real Madrid Femenino. Për herë të parë në histori Real Madridi ka ekip të femrave.

Pas një humbjeje 4:0 ndaj Barcelonës, “Las Blancas” në hapje të edicionit udhëtoi për në Valencia. U deshën vetëm 22 minuta që Real Madridi të gjejë rrjetën. Kenti Robles harkoi në zonë, kurse Asllani shënoi me goditje me kokë. Ishte një gol historik në një ditë historike për klubin. Ishte 11 tetori i vitit 2020 dhe megjithëse askush nuk mund ta shikonte ndeshjen direkt, Reali shpërndau videon me gëzim të madh. Rreth një muaj më vonë, sulmuesja Asllani shkroi historinë te Real Madridi përsëri. Ishte 4 nëntori dhe dy golat e parë për klubin në një ndeshje i shënoi sërish Asllani. Ndodhi kjo në ndeshjen kundër ekipit Marta Cordona.

Advertisement

E shtuna e fundit ishte përsëri për Asllanin. Ajo edhe njëherë u kujdes të shkruante historinë pasi realizoi “hat-trickun” e parë dhe atë brenda 155 sekondave. Mirëpo nuk ishte vetëm kjo, sepse ai ishte “hat-tricku” më i shpejtë në historinë e Real Madridit si te meshkujt ashtu edhe femrat. Me këtë “hat-trick”, Asllani e dëshmoi veten dhe bëri që e gjithë bota e futbollit të fliste për të. Në fakt këta gola ishin të rëndësishëm edhe për të, duke pasur parasysh se nuk kishte shënuar që nga 13 dhjetori i vitit të shkuar. Aktualisht Asllani është në kuotën e 12 golave këtë sezon dhe po lufton të shpallet golashënuesja më e mirë e kampionatit në Spanjë.

Edhe nëse zërat për largimin e saj nga Real Madridi janë të vërtetë, Asllani duhet respektuar për ngritjen e një klubi në majën e futbollit të femrave. Ajo tashmë është futur në historinë e Real Madridit dhe të gjithë janë dëshmitarë se asnjë futbolliste tjetër nuk ka qenë pjesë më integrale se Asllani në këtë proces të klubit madrilen.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy