I refuzohet viza dhe do deportohet, çështja e Djokovic merr përmasa politike

Pinterest LinkedIn Tumblr +
I refuzohet viza dhe do deportohet, çështja e Djokovic merr përmasa politike

Nga një kërkesë për të luajtur një turne tenisi, pjesëmarrja e Novak Djokovic në Australian Open po shndërrohet çdo orë e më shumë në një çështje ndërkombëtare, ku po ndahen politika dhe opinioni publik.

Kampioni serb nuk do të mund të mbrojë titullin e fituar vitin  e kaluar në Australi, të nëntin  e karrierës.

Lajmi që tenisti kishte marrë një leje speciale nga autoritetet shëndetësore australiane për të marrë pjesë në turne bëri xhiron e botës dhe shkaktoi polemika, sepse Australia është një nga vendet me politikat më strikte kundër pandemisë, dhe u duk se trajtimi favorizues ndaj serbit që nuk është i vaksinuar ishte i padrejtë ndaj të tjerëve.

Po në orët e fundit çështja ka marrë një drejtim pothuajse të kundërt, me ndërhyrjen e kryeministrit të atij vendi, Scott Morrison. I shtyrë nga opinioni publik australian, ai deklaroi dje se Djokovic duhet të sqaronte mirë arsyet se pse kërkonte lejen speciale, që jepet vetëm në disa raste të veçanta, si sëmundje të rënda ose reaksione ndaj vaksinave.

Advertisement

Pak orë më vonë, tenisti që ndërkohë kishte mbërritur në aeroportin e Melburnit u bllokua nga autoritetet me orë të tëra, dhe shpjegimet e tij nuk i bindën, aq sa viza e tij u refuzua.

Këtu çështja u zmadhua edhe më shumë, sepse siç ndodh me çdo të huaj të cilit i refuzohet viza, edhe Djokovic u transferua në një hotel në pritje të rikthimit në vendlindje. Normalisht jo një hotel me 5 yje siç është mësuar ai, por një strukturë ku mbahen të gjithë të huajt me të njëjtin fat, ku muajt e kaluar ka patur vatra të COVID-19 dhe zjarrvënie.

Jashtë strukturës u mblodhën dhjetëra mbështetës të Djokovic, më se shumti me origjinë serbe, që e cilësonin si një turp ndërkombëtar për Australinë trajtimin e sportistit të njohur.

Nga Beogradi, reagoi edhe presidenti Aleksander Vucic, që cilësoi Djokovic si viktimë dhe shtoi se e gjithë Serbia ishte me të, ndërkohë që Morrison u përgjigj duke nënvizuar se kjo nuk kishte të bënte me Serbinë.

Advertisement

Ndërkohë, çështja ka marrë dimensione edhe me të mëdha, sepse me dashje ose jo, Djokovic është shndërruar në heroin no-vax që refuzuesit e vaksinës prisnin prej kohesh. Rrjetet sociale janë të mbushura me mesazhe që e mbështesin, dhe kërkesa për bojkote të produkteve australiane.

Një rol që vetë Djokovic nuk duket sikur refuzon. “Kjo nuk është betejë vetëm për Novak, por një betejë për të gjithë botën”, deklaroi i ati i tenistit, Srdjan Djokovic.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy