Ibra nuk do të lejohet të dalë në fotografi me tifozë dhe të japë nënshkrime

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në fundjavë në Kosovë pritet të qëndrojë Zlatan Ibrahimoviq, ylli më i madh i futbollit që viziton vendin. Kosova të dielën luan ndaj Suedisë në eliminatoret e Botërorit 2022, ndërsa Ibra është kthyer në Përfaqësuese për ndeshjet e këtij muaji.

Ibrahimoviq, që po shkëlqen te Milani, ka shumë tifozë në Kosovë, si në shumë vende të botës. Por afrimi i tifozëve me sulmuesin e madh pritet të jetë shumë i vështirë. Në Federatën e Futbollit të Suedisë po punojnë që të mos lejojnë afrimin e tifozëve me yllin e madh të futbollit. Kështu të paktën ka raportuar të hënën gazeta e madhe suedeze “Aftonbladet”.

Trajtimi në Përfaqësuese ndaj Ibrës nuk dallon nga trajtimi ndaj lojtarëve të tjerë. Kështu kanë thënë në Federatën e Futbollit të Suedisë. Por kthimi i Ibrahimoviqit nënkupton masa shtesë sa i takon sigurisë. Këtë e kanë pranuar në Federatën suedeze.

“Sa herë që ekipi përfaqësues mblidhet, një analizë e rrezikut bëhet lidhur me kushtet për atë grumbullim. Kjo analizë rezulton me një numër masash. Pa hyrë në detaje, është e qartë se prezenca e tij ndikon që të marrim masa të caktuara”, ka thënë menaxheri për siguri në Federatën e Futbollit të Suedisë, Martin Fredman.

Advertisement

“Këto masa janë për arsye pozitive. Është e qartë se ka bujë rreth tij. Ka interesim dhe duhet të jemi të kujdesshëm deri në fillimin e ndeshjes. Kemi disa skenarë se si t’i përshtatim masat që të mos pengohet ekipi”, ka shtuar Fredman.

Fakti se ndeshjet luhen pa shikues nënkupton se rreziku që tifozë nga tribunat të dalin në fushë nuk ekziston. Kështu që sfida për përgjegjësit suedezë ka të bëjë kryesisht me udhëtimin nga hoteli për në stadium apo në fushat ku zhvillohen stërvitjet.

Në bazë të protokolleve të UEFA-s, ekipet përfaqësuese duhet të qëndrojnë të izoluara për të reduktuar rrezikun e infektimit. Lojtarët dhe udhëheqësit nuk duhet të kenë kontakt me njerëz të jashtëm. Pra, as me tifozë.

“Ai nuk do të jetë në gjendje të takojë dikë, të pozojë për ‘selfie’ apo të nënshkruajë autografe, si do të bënte në kushte të zakonshme. Ka të bëjë edhe me infeksionin. Duhet të jemi të izoluar, nuk duhet ta thyejmë atë”, ka shtuar zyrtari suedez.

Advertisement

Përgjegjësit e Federatës së Futbollit të Suedisë tashmë kanë kontaktuar me përgjegjësit e FFK-së. Suedia gjatë këtij muaji luan dy ndeshje në shtëpi dhe vetëm ndaj Kosovës në udhëtim.

“Ne kemi pasur kontakt të afërt me njerëzit në Kosovë, me policinë, me departamentin e sigurisë në hotel dhe me përgjegjësit për siguri në Federatë. Me informatat që kemi marrë, do të jetë në rregull. Është me rëndësi të dimë që statusi i Zlatanit në Kosovë është shumë pozitiv, në bazë të informatave që kemi marrë”, ka theksuar Martin Fredman.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy