Kreu i FFK-së, Ademi e takon Challandesin dhe i jep përkrahje

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është takuar të premten me përzgjedhësin Bernard Challandes. Në njoftimin e FFK-së, thuhet se me ftesën e presidentit Ademi, përzgjedhësi Challandes po qëndron në Kosovës.

Ademi dhe Challandes kanë diskutuar për nevojën e koordinimit sa më të mirë në përfaqësuese. Ademi gjithashtu theksoi se të gjithë te Përfaqësuesja e Kosovës, do ta kenë përkrahjen e tij dhe të Komitetit Ekzekutiv, përfshirë futbollistët, trajnerët dhe stafin, në mënyrë që të rikthehet sa më parë gjendja reale e rezultateve.

Gjithashtu, Ademi ka premtuar se do të mundohen që të aranzhojnë sa më shumë ndeshje kontrolluese nëpërmjet të cilave do t’u jepet hapësirë sa më shumë lojtarëve për të dëshmuar potencialin që kanë.

“Ademi theksoi se për të, për KE-në dhe opinionin në tërësi, ekipi kombëtar është i shenjtë, prandaj duhet që të gjithë ta japin maksimumin për ta kthyer formën dhe rezultatet pozitive, me të cilat ishte krenar i gjithë populli ynë. Tutje, ai, ritheksoi se FFK edhe në të ardhmen do t’ia krijojë të gjitha kushtet e nevojshme ekipit kombëtar, por ka kërkuar që edhe përkushtimi i futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë stafit të jetë maksimal, ngase përfaqësimi i vendit është diçka e shenjtë. Ai u shpreh se është shumë i interesuar që Kombëtarja t’u rikthehet rezultateve pozitive, ngase e di se ka potencial brenda saj”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.

Advertisement

Ndërkohë, përzgjedhësi Challandes ka premtuar se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe se do të mundohet të bëjë më të mirën për Kosovën. Ky takim i kreut të FFK-së, Ademit me përzgjedhësin Challandes ka ardhur pas humbjeve të Kosovës në dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Kosova pësoi në shtëpi nga Suedia (3:0) përpara se të mposhtet në udhëtim edhe nga Spanja (3:0) në kuadër të Grupit B eliminator.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy