Kristian Vulaj: Ftesa në Përfaqësuese, momenti më i mirë në karrierë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kristijan Vulaj ka zhvilluar të dielën mbrëma stërvitjen e parë me Përfaqësuesen e Malit të Zi. Futbollisti shqiptar është ftuar për tri ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2021 ndaj Letonisë, Gjibraltarit dhe Norvegjisë.

Vulaj ka thënë për KOHËN se ftesa në Përfaqësuesen e Malit të Zi është momenti më i mirë në karrierën e tij.

Ftesa për Vulajn është mirënjohje edhe për Deçiqin nga Tuzi, që po shndërrohet në skuadër serioze në futbollin e Malit të Zi. Deçiqi është stabilizuar në elitën e Malit të Zi, ndërsa të dielën ka dhënë edhe dy lojtarë për U-21 të këtij vendi, Jonathan Dreshajn e Danilo Peshukiqin.

Vulaj, 22-vjeçar, po kalon formë të lartë në kampionat. Në 25 paraqitje ka realizuar 10 gola dhe për formën është shpërblyer me ftesë në Përfaqësuesen A. Mesfushori ofensiv më herët ishte pjesë e U-19 të Malit të Zi.

Advertisement

“Sot jemi grumbulluar dhe stërvitja e parë ka shkuar shumë mirë. Më kanë pritur mirë në Përfaqësuese. Grupi i lojtarëve nuk është kompletuar ende. Stërvitja ishte e lehtë dhe ka shkuar mirë”, ka theksuar Vulaj për KOHËN.

Për shkak të formës që po kalon, Vulaj ka menduar se mund të marrë ftesë. Por ajo megjithatë e ka befasuar.

“Po, ftesa më ka befasuar. E kam menduar se për shkak të formës së mirë që po kaloj, do të ftohem. Por në brendi nuk e kam besuar. Ftesa që mora është momenti më i mirë në karrierën time. Kam ëndërruar që një ditë të luaj në Përfaqësuese dhe kjo tani po realizohet. Është moment shumë me rëndësi për karrierën time. Natyrisht, ftesa shërben për rritje të mëtejme në karrierë”, ka theksuar Vulaj.

Ai është shqiptar nga Tuzi.

Advertisement

“Malësor i Tuzit”, thotë futbollisti cilësor.

“Edhe për Deçiqin është sukses që ftohem unë. Në fakt, klubi po kalon momentin më të mirë deri më tani. Synim është që edhe matematikisht të sigurojmë ekzistencën dhe më pas të luftojmë për dalje në Evropë. Gjërat po ecin mirë, si në aspektin organizativ e financiar ashtu edhe në atë sportiv. Edhe ftesa për mua dhe për lojtarët e rinj është e arritur e klubit”, ka shtuar Vulaj, që është lojtari i parë i Deçiqit që ftohet në Përfaqësuese.

Vulaj shpreson që të debutojë te Mali i Zi në njërën prej tri ndeshjeve të këtij muaji.

“Shpresoj të debutoj, por për mua është sukses i madh që jam ftuar. Do të jetë përvojë e mirë grumbullimi me Përfaqësuese. Natyrisht, vlera si lojtar më rritet për shkak të ftesës. Do të jap më të mirën në stërvitje dhe të shohim si do të rrjedhin gjërat. Kemi lojtarë shumë cilësorë dhe nuk do të jetë lehtë të fitoj hapësirë. Por të shohim. E rëndësishme është ftesa”.

Advertisement

Te Mali i Zi njëri prej lojtarëve më me përvojë është Fatos Beqiraj. Beqiraj është nga Kosova, ndërsa mbi një dekadë më parë vendosi të përfaqësonte Malin e Zi, derisa po shkëlqente për Buduqnostin e Podgoricës.

Beqiraj ka bindshëm numrin më të madh të paraqitjeve për Malin e Zi. Ai ka 75 ndeshje, ndërsa Elsad Zverotiq, që është i dyti në listë, ka 61 ndeshje.

“Fatos Beqiraj më ka pritur shumë mirë. Fatosi është shumë lojtar i mirë dhe djalë i mirë. Natyrisht që për mua do të jetë më e lehtë që e kam atë në Përfaqësuese”, ka theksuar Vulaj.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy