Kur George Weah e “pushtoi” botën e futbollit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zuerich, 8 janar (FIFA.com) – Më 16 dhjetor, Timothy Weah u paraqit për takimin e Lillet me Paris Saint-Germainin, disa ditë pas golit të shkëlqyeshëm që e shënoi kundër Dijonit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, sulmuesi u pyet nëse babai i tij, George Weah, do të ishte në tribuna për të parë djalin e tij duke luajtur kundër ish-klubit të tij.

“Nuk ka gjasa”, u përgjigj ai. “Babai im as nuk e di që ne do të luajmë kundër Parisit”.

Në fakt, Timothy kishte plotësisht të drejtë për këtë pasi babai i tij, George Weah, ka një vend për të drejtuar dhe nuk mund të merret me orarin e ndeshjeve të birit. I zgjedhur president i Liberisë në janar të vitit 2018, ish-golashënuesi shkroi historinë herë pas here gjatë karrierës së tij. Ishte 25 vjet më parë, për shembull, kur ai u bë i pari dhe i vetmi afrikan që u votua si lojtari më i mirë i vitit nga FIFA.

“Kur isha fëmijë ëndërroja të bëhesha një futbollist profesionist”, tha George Weah atëbotë. “Kjo ishte ambicia ime. Nuk po mendoja të fitoja ‘Topin e Artë’ ose çmimin e FIFA-s. Doja të siguroja jetesën duke luajtur futboll dhe të shkoja sa më larg në karrierë”.

Advertisement

Pika fillestare për udhëtimin e gjatë dhe të mundimshëm të Weah, që e shndërroi në yll, ishte klubi nga Liberia, Mighty Barrolle. Klubet e tij të ardhshme ishin Invincible Eleven, me bazë në kryeqytetin e vendit, Monrovia dhe ai nga Kameruni, Tonnerre Kalara Club. Në vitin 1988 ai bëri lëvizjen e parë në Evropë te Monaco pasi ishte parë nga Arsene Wenger. Weah do t’i jepte merita trajnerit francez për pjesën tjetër të karrierës së tij. Kur ai rrëmbeu çmimin e më të mirit të vitit nga FIFA, më 8 janar të vitit 1996, Weah ftoi Wengerin të ngjitej në skenë dhe ia dhuroi medaljen e tij.

“Ai më ndryshoi jetën. Unë i detyrohem gjithçka atij”, tha së fundi presidenti i Liberisë, Weah. “Ai është si një baba për mua. Unë e humba timin kur isha i ri dhe Arsene, i cili ishte i vetmi person që pa diçka në fillim te unë, e mori përsipër karrierën time dhe kurrë nuk më la të bie. Ai ka qenë gjithmonë pas meje, veçanërisht në fillim të karrierës në Evropë”.

Weah kaloi katër sezone te Monaco përpara se të nënshkruante për Paris Saint-Germainin. Një kampion francez me PSG-n në vitin 1994, ai praktikisht e ngriti nivelin në sezonin vijues. Fitoi edhe Kupën e Francës dhe Kupën e Ligës, si dhe ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve në edicionin 1994/95. Fillimisht, Weah u zgjodh futbollisti i vitit në Afrikë, rrëmbeu “Topin e Artë” dhe pastaj mori vlerësimin e vitit nga FIFA.

“Unë u nxita nga pasioni për lojën dhe asgjë tjetër”, tha Weah, i cili mundi Paolo Maldinin dhe Juergen Klinsmannin në votimet e atij viti. “Megjithatë, ata trofe kanë një vlerë të veçantë. Janë një formë e njohjes për të gjithë punën e madhe që kam bërë gjatë karrierës sime”.

Advertisement

Kapitulli tjetër në karrierën e lavdishme erdhi me fanellën e Milanit, ku ai fitoi titullin e kampionit në Serie A në vitet 1996 e 1999 dhe shënoi një numër golash të mrekullueshëm. Më i paharrueshmi nga të gjithë është ai kundër Veronas ku Weah i vetëm nga zona e Milanit e mori topin dhe shënoi gol duke tejkaluar të gjitha pengesat. Weah pastaj u largua nga Milani për një magji tjetër me Chelsean, Manchester Cityn, Olympique Marseillen dhe Al Jaziran, para se të dilte në pension në vitin 2003. Rregullisht në qendër të vëmendjes në nivel klubesh, sulmuesi rrallë kishte shansin të shkëlqente me Liberinë në skenën ndërkombëtare.

“Unë jam krenar për vendin nga vij”, tha Weah, i cili ishte pjesë e Liberisë që humbi atë që do të kishte qenë një kualifikim historik për Kupën e Botës të vitit 2002 për vetëm një pikë. “Unë e dua vendin tim dhe i dua bashkatdhetarët e mi. Është e kuptueshme që unë do të kisha dashur të kisha luajtur në Kupën e Botës. E vetmja gjë që më trishton është se ka shumë lojtarë të tjerë liberianë të cilët nuk luajtën në këtë turne por nuk kishin suksesin që e pata unë”.

Pasi vari “këpucët në gozhdë” dhe vuri mënjanë zhgënjimet e karrierës së tij ndërkombëtare, Weah ia caktoi si detyrë vetes për të ndihmuar vendin e tij duke kaluar në skenën politike. Në dhjetor të vitit 2014, ai u bë sportisti i parë që u zgjodh në senatin e Liberisë dhe vazhdoi të kryesonte Komitetin e Sportit. Duke arritur zyrën më të lartë në vend dhe kulmin e futbollit botëror si lojtar aktiv, legjenda liberiane nuk i ka harruar fjalët që i tha kur mori çmimin nga FIFA.

“Sporti ka rëndësi”, tha ai. “Ai ka fuqinë të ndihmojë njerëzit. Unë jam këtu sot falë futbollit dhe nëse mund t’u jap bashkatdhetarëve të mi nga gjithçka që kam marrë, atëherë do ta bëj me kënaqësi”.

Advertisement

Pasi ka ndërruar fanellat e futbollit me kostum, Weah vazhdon ta mbajë atë premtim dhe të justifikojë vendin e tij të shquar në historinë e futbollit dhe Liberisë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy