Kuvendi i qetë i FFK-së mbyllet me duartrokitje të kuvendarëve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Drejtues të klubeve të futbollit në vend kanë akuzuar rëndë krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës gjatë vitit të kaluar. Akuzat ishin nga më të ndryshmet. Por, të enjten, në Kuvendin e Rregullt të Punës për vitin 2020, të mbajtur në formatin “online”, shkaku i masave të fundit të Qeverisë në luftën kundër koronavirusit, delegatët zgjodhën heshtjen dhe pajtimin. Kuvendi vlerësohet “platforma” e duhur për të shprehur vërejtjet e pakënaqësitë.

Raporti financiar i paraqitur në pika të shkurtra, u miratua pa asnjë votë kundër, sikurse të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës.

Kuvendi u mbyll me një duartrokitje të kërkuar nga kryetari Agim Ademi, që bashkë me sekretarin Eroll Salihu drejtuan Kuvendin nga objekti i FFK-së. Në Kuvendin e organizuar “online” morën pjesë 55 delegatë nga 59 sa kanë të drejtë vote.

“Ju falënderoj shumë dhe ju ftoj me një duartrokitje ta përfundojmë këtë kuvend”, ka thënë Ademi në mbyllje të punimeve.

Advertisement

Në fakt mediat nuk patën qasje për t’i parë votat e delegatëve. Gazetarët përcollën punimet e Kuvendit nëpërmjet një ekrani të vendosur në sallën e konferencave në stadiumin “Fadil Vokrri”. Mediat patën mundësi të shihnin një pjesë të delegatëve pak minuta pa nisur Kuvendi, por kur nisi në pamje të parë ishin kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu. Kuvendi zgjati afër tri orë, përfshirë edhe përshëndetjet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i pari i futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, ushtruesi i detyrës së sekretarit të MKRS-së, Ibër Alaj dhe dy anëtarë të FIFA-s të thirrur për të monitoruar kuvendin. U thanë vetëm fjalë të mëdha për punën e FFK-së.

Pasi përfunduan fjalimet përshëndetëse, u aprovua procesverbali i Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, të mbajtur në vitin 2020 dhe ai i Kuvendit të Rregullt të Punës, i cili ishte mbajtur në vitin 2019.

Në dy pikat e fundit, për parashtresa, ankesa dhe të ndryshme, të vetmit që morën fjalën ishin trajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi. Ky i fundit kritikoi punën e Komisionit Disiplinor duke thënë se vendimet e KD-së merren vetëm “sa për sy e faqe”, ndërsa kërkoi nga FFK-ja të rritë presionin te MKRS-ja për të pasur më shumë dinamikë në punimet për rinovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan.

Ndërkohë Batatina, që së bashku me kryetarin e klubit të futbollit Trepça ’89, Abedin Zeka, kanë qenë kritikuesit më të mëdhenj të punës së Ademit, kërkoi që të rikthehet rregulli për inkuadrimin e obligueshëm të futbollistëve nën moshën 20 vjeç në Superligë dhe Ligën e Parë, gjë për të cilën nuk u pajtua drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi.

Advertisement

Batatina përshëndeti fillimisht kryetarin Ademi dhe të tjerët dhe më pas nisi me kërkesat e tij.

“Pres që të gjej mbështetje që klubet e Superligës dhe Ligës së Parë ta kenë obligative inkuadrimin e një lojtari nën moshën 20-vjeçare. Po ashtu në këto dy rangje të garave të luhet me topa të njëjtë, si dhe në garën për kupë lojtari të lejohet të luajë edhe me tre kartonë të verdhë e jo siç është tash me dy”, ka kërkuar Batatina.

Kryetari Ademi iu përgjigj Batatinës, duke thënë se do të kërkojnë edhe mendimin dhe miratimin e ta gjitha klubeve.

Zymberi kundërshtoi Batatinën në kërkesën që ta kenë të obligueshme inkuadrimin e lojtarit nën moshën 20-vjeçare.

Advertisement

“Ne si klub kemi disa kërkesa apo sqarime, ndoshta jo në këtë moment, por ato mund të bëhen edhe përmes emailit, që kanë të bëjnë për vendimet e Komisionit Disiplinor. Ndëshkohen zyrtarët e klubeve, por në shumicën e rasteve janë vendime apo ndëshkime sa për sy e faqe. Ka raste kur janë dënuar, por u është hequr dënimi”, ka thënë Zymberi, ndërsa Ademi është pajtuar pjesërisht me të. Është zotuar se do të marrë masa në këtë drejtim.

Asnjëri prej delegatëve nuk diskutoi për shpenzimet që FFK-ja i ka bërë gjatë vitit të kaluar.
Të hyrat e FFK-së për vitin 2020 ishin 11 milionë e 958 mijë e 589 euro, ndërsa totali i shpenzimeve kalon 12-milionëshin.

FFK-ja të hyra nga UEFA kishte katër milionë e 740 mijë euro, ndërsa nga të drejtat autoriale ka të hyra prej 2 milionë e 374 mijë eurosh. FIFA e ka mbështetur me 993 mijë euro, ndërsa subvencione ka pasur 645 mijë euro.

Janë përfshirë edhe të hyrat nga aktivitetet e zakonshme, marketingu, sponsorizimi, organizimi i lojërave, participimi…

Advertisement

Për paga, FFK-ja ka ndarë 3 milionë e 292 mijë e 618 euro, ndërsa klubet i ka ndihmuar me 1 milion e 131 mijë e 357 euro. Për mirëmbajtje të stadiumit “Fadil Vokrri”, FFK-ja ka shpenzuar 35 mijë e 337 euro, ndërsa për stadiumin “Adem Jashari” ka shpenzuar 18 mijë e 503 euro.

“Nuk kemi pasur një kërkesë të veçantë, por gjithsesi ne edhe sot e kemi mundësinë dhe në pikën e fundit mund t’ia japim fjalën për gjithçka apo edhe ndonjë kërkesë. E keni pasur raportin dhe unë tash ju ftoj për miratim të këtij raporti financiar”, u është drejtuar Agim Ademi delegatëve.

Në Raportin e Auditorit nuk është gjetur ndonjë parregullsi dhe ai është konstatuar i plotësuar në mënyrë të rregullt dhe i kompletuar.

I pari i FFK-së, Ademi, ka treguar edhe për planet që i ka në të ardhmen, përfshirë këtu shtimin e 7-8 mijë ulëseve në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe ndërtimin e 100 fushave ndihmëse.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy