Paqueta i rilindur – forca lëvizëse e Lyonit që po synon titullin në Ligue 1

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Paris, 8 janar (AP) – Kur lojtari më i mirë në historinë e Lyonit telefonoi mbrojtësin më të madh të Milanit, u bisedua për çështje biznesi. Juninho bindi Paolo Maldinin, i cili luajti 900 ndeshje për Milanin dhe tani është drejtori teknik i klubit, ta shesë mesfushorin brazilian Lucas Paqueta te Lyoni për 20 milionë euro, në shtator të vitit të shkuar. Është vërtetuar të jetë transferimi i sezonit në Francë, me Paquetan si forcë lëvizëse te Lyoni, ekip që i prin tabelës në Ligue 1 dhe të shtunën shkon në Rennes si i pamposhtur në 15 ndeshje.

Në 18 ndeshje këtë sezon, Lyoni ka tubuar 39 pikë, dy më shumë se Paris Saint-Germaini që është i dyti. Derisa treshja e shkëlqyeshme sulmuese e Lyonit – Memphis Depay, Karl Toko Ekambi dhe Tino Kadewere – ka ndarë golat, roli i Paquetas në një mesfushë me tre lojtarë ka siguruar kundërsulme të shpejta dhe një “mur” të shkëlqyeshëm përpara mbrojtjes. Shembulli më i mirë është fitorja e Lyonit kundër Lensit (3:2) kur pasimi i zgjuar i Paquetas kapi në befasi mbrojtjen kundërshtare dhe i mundësoi Depayt të shënojë golin e epërsisë në mënyrë të përsosur. Një tjetër pasim i Paquetas i mundësoi Maxwell Cornetit të fitojë penallti nëpërmjet së cilës Lyoni ngriti epërsinë në 3:0.

“Ai është një talent i frikshëm, por edhe më e rëndësishme se talenti dhe aftësia e tij për të luajtur me një prekje dhe për të avancuar përpara, është se Paqueta punon shumë për ekipin”, pranoi trajneri i Lyonit, Rudi Garcia. “Të gjitha meritat i takojnë Juninhos që arriti të transferojë Paquetan”.

Juninho tani është drejtori sportiv i Lyonit. Ai shënoi 100 gola për klubin nga pozita e mesfushorit, duke përfshirë disa goditje të lira spektakolare nga 40 metra dhe ishte vendimtar në shtatë titujt rresht që i fitoi Lyoni në Francë, seri kjo që ende nuk e ka arritur as PSG-ja, përkundër shpenzimeve të mëdha që i ka bërë.

Advertisement

Paqueta ka një stil krejtësisht tjetër për atij të Juninhos. Është më i drejtpërdrejtë si mesfushor krahasuar me mënyrën se si funksiononte Juninho që ishte më i aftë për të shënuar gola. Paqueta ka të bëjë më shumë me qëndrueshmërinë e lartë në lojë, ndërhyrjet e forta, dhe një vrapues nga zona në zonë që përsosi teknikën e tij të sigurt në Brazil. Këto aftësi të Paquetas i vuri re ekipi i madh nga Serie A, Milani që pagoi 35 milionë euro për ta transferuar nga Flamengo para dy vjetësh, kur ai ishte vetëm 21 vjeç. Stili i tij dinamik i vrapimit dhe trupi atletik i bëri skautët që të bëjnë krahasime të hershme të tij me Leita Kakan – një fitues i Kupës së Botës me Brazilin në vitin 2002, i cili gjithashtu fitoi “Topin e Artë” në vitin 2007 pas triumfit të Milanit në Ligën e Kampionëve. Kaka shënoi 29 gola për vendin e tij në 92 ndeshje të luajtura.

Mirëpo, Paqueta, i cili tani numëron 13 ndeshje ndërkombëtare me Brazilin, nuk arriti dot të përmbushë ato pritje të larta. Pasi shënoi 12 gola në sezonin e tij të fundit me fanellën e Flamengos, Paqueta shënoi një herë në 44 ndeshje për Milanin dhe u ndje i pavendosur për të ardhmen e tij në “San Siro”.

“Kur shkova te Milani, drejtori sportiv Leonardo ishte atje dhe po ashtu trajneri Gennaro Gattuso, por pesë muaj më vonë ata të dy ishin larguar. Unë u ndjeva pak i vetmuar dhe nuk arrita të shfaq talentin tim”, thotë ai.

Milani tani është në krye të Serie A, dhe tifozët e tij ndoshta e kanë harruar Paquetan. Mirëpo, tifozët e Lyonit janë duke shpresuar që ai ta udhëheqë klubin drejt titullit në Ligue 1 që nga koha e Juninhos para 14 vjetësh, që ishte edhe i fundit për ekipin.

Advertisement

“Është një ligë e vështirë, por unë e di që kemi aftësinë për të fituar titullin. Shpresoj se mund të luftojmë deri në fund”, paralajmëroi Paqueta.

Derisa PSG-ja është e përfshirë në Ligën e Kampionëve, Lyoni nuk arriti të kualifikohej në garën evropiane dhe kështu trajneri Garcia mund t’i japë përparësi të plotë kampionatit pa u shqetësuar për rotacionin e lojtarëve kryesorë. Ndryshe nga PSG-ja, skuadra e Garcias nuk është goditur keq nga lëndimet. Gjithashtu, Lyoni ende duhet të përballet me PSG-n në shtëpi pasi ka fituar ndeshjen e parë në udhëtim 1:0, në të cilën Paqueta luajti dhe ishte ndër më të mirët. Shumë rrethana shkojnë në favor të Lyonit, në tentim për t’i dhënë fund dominimit të Parisit. Forma e Paquetas mund të jetë vendimtare.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy