Pasi e fitoi Kupën, Peja kërkon edhe titullin e kampionit

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Peja e ka fituar Kupën e Kosovës në volejboll në konkurrencën e meshkujve për edicionin 2020/2021. Në finalen dramatike pejanët kanë triumfuar me rezultat 3:2 në sete (15:25, 25:21, 27:25, 20:25, 16:14) kundër skuadrës së Ferizajt. Ndeshja interesante u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, të enjten pasdite. Finalja u vendos vetëm në setin e pestë, të cilin pejanët e fituan me rezultatin 16:14 për ta rrëmbyer trofeun e çmueshëm të volejbollit kosovar.

Trajneri i KV Pejës, Qazim Kelmendi, tha për KOHËN pas ndeshjes se kanë qenë të bindur se mund ta fitojnë Kupën. Ai theksoi se skuadra ka pasur kriza në momente të caktuara, por jo nga kundërshtari.

“Siç dihet të gjitha finalet e kanë peshën e vet dhe çdo skuadër hyn në finale për të fituar Kupën. Ne kishim një bindje se do ta fitojmë Kupën. Ishim të motivuar që të luftojmë deri në poenin e fundit. Kishim krizë gjatë ndeshjes, jo nga kundërshtari, por nga vetja jonë. Ndoshta disa lojtarë nuk kanë mundur ta bartin barrën e finales për shkak të përvojës, por të bashkuar në fund ia kemi dalë”, tha Kelmendi.

Sipas trajnerit pejan, festë do të ketë vetëm sonte, pasi që nga e premtja ekipi do të fillojë përgatitjet për ta kurorëzuar këtë edicion me titull të kampionit.

Advertisement

Kelmendi insiston se Besa çdoherë ka qenë klub i organizuar.

“Kjo ishte hera e gjashtë që e fitojmë Kupën në volejboll, duke e llogaritur edhe Kupën e Federatës së Volejbollit. Kemi edhe disa tituj të kampionit. Herën e fundit Kupën e kemi fituar në vitin 2018. Ne vetëm emrin e kemi ndërruar disa hera, si Ejona, Besa, por çdoherë kemi qenë klub i organizuar. Kemi marrë pjesë edhe në garat evropiane, në Ligën e Kampionëve. Ne jemi lider të kampionatit dhe besoj që do të përfundojmë në pozitën e parë për t’i nisur garat e plejofit nga pozita e parë. Sonte do të festojmë, kurse nga nesër nis puna dhe përgatitjet për të arritur edhe titullin e kampionit”, u shpreh Kelmendi. Ai është pjesë e klubit pejan që nga viti 1986. Në krye të skuadrës, si trajner, ishte në periudha të ndryshme.

Në të vërtetë Kupa e Federatës është turne dhe nuk ka të bëjë me Kupën e Kosovës.

“Unë jam pjesë e klubit të volejbollit Peja që nga viti 1986. Të gjithë kohën time e kam çuar në këtë klub. Kam qenë kryetrajner në periudha të ndryshme. Nga Peja, ku unë kam punuar, kemi dhënë shumë volejbollistë për Kosovën dhe Shqipërinë. Do të përmendja Gazmend Husajn, Bardhyl Hajdarajn, Agron Nikçin e shumë të tjerë. Kam kaluar sfida të mëdha me Pejën, por kurrë nuk jemi dorëzuar”, tregoi Kelmendi.

Advertisement

Kapiteni i Pejës, Agron Nikçi, ka thënë për KOHËN se fitimi i Kupës ka ardhur pas një serie fantastike prej 12 fitoreve radhazi. Nikçi thotë se motivi është shumë i madh për të triumfuar edhe në kampionat.

“Pas disa sezoneve ku klubi kaloi kohë të vështirë financiare, në këtë vit arritëm të organizoheshim dhe ta kompononim ekipin me lojtarë cilësorë. KV Peja arriti që në sezonin e dytë t’i ketë 12 fitore radhazi në kampionat, si dhe të fitojë Kupën e Kosovës. Fitimi i Kupës së Kosovës është shpërblim për angazhimin e ekipit. Skuadra është shumë e motivuar të vazhdojë me serinë e fitoreve edhe në kampionat, në plejof dhe ta fitojmë edhe titullin e kampionit”, tha Nikçi.

Në ndeshjen finale Ferizajt, që e kishte fituar Kupën vitin e kaluar, i mungoi lojtari më i mirë, Bardhyl Hajdaraj, që ishte i lënduar.

Peja është edhe lidere në Superligë me 39 pikë të mbledhura. Drita dhe Ferizaj kanë nga 38 pikë dhe renditen në pozitat dy e tre.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy