Ponte Prizreni, klubi i vogël me ambicie të mëdha

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Te Ponte Prizreni janë të bindur se këtë edicion të basketbollit kosovar mund ta mbyllin të paktën me një trofe, të Kupës apo të titullit të kampionit. Nëse trajneri Arbnor Rifati do të duhej të bënte një zgjedhje ndërmjet dy trofeve, natyrisht do të zgjidhte titullin e kampionit.

Rifati beson se ekipi i tij tashmë ka paralajmëruar rivalët për synimet që i ka këtë sezon. Pas nëntë xhirove të zhvilluara në Superligë, Ponte Prizreni ka regjistruar gjashtë fitore karshi tri humbjeve dhe zë vendin e tretë në tabelë me 15 pikë, një më pak se Peja e Rahoveci që renditen në dy pozitat e para. Për Ponte Prizrenin, ky është vetëm edicioni i tretë në elitën e basketbollit kosovar.

“Synimi është ta fitojmë edhe kupën, edhe titullin, por titullin më shumë për shkak se do të thyenim edhe dominimin e skuadrave që tradicionalisht kanë triumfuar. Besoj fuqishëm se ky është pikërisht edicioni ku mund të fitojmë trofe. Pra, i treti dhe i vërteti. Dhe, për këtë arsye jemi futur në garë fuqishëm”, është shprehur Rifati të hënën për KOHËN.

“Kemi parë që këtë sezon pandemia ka ndikuar dukshëm të klubet e tjera që i ka prekur financiarisht dhe mund ta shfrytëzojmë këtë situatë në favorin tonë”.

Advertisement

Për t’i forcuar edhe më shumë pretendimet e tij, Rifati ka disa ditë që i ka bërë disa lëvizje në ekip. Javën e kaluar Ponte Prizreni njoftoi se ka arritur marrëveshje me reprezentuesin e Kosovës, amerikanin Divine Myles. Ndërsa menjëherë pas ndeshjes së fundit me Vëllaznimin, të cilën e fitoi, ekipi prizrenas bëri të ditur edhe për përforcimin tjetër, amerikanin Jeremiah Paige.

Përderisa Paige tashmë i është bashkuar ekipit, Myles do të jetë në dispozicion të Rifatit prej muajit tjetër. Myles së fundi ka luajtur në Francë, kurse e njeh mirë kampionatin e Kosovës për shkak se ishte pjesë e Prishtinës për më shumë se një stinor dhe arriti të fitojë titullin dhe kupën e Kosovës. Te Ponte Prizreni, Myles do të llogaritet vendor dhe do të luajë përkrah tre amerikanëve të tjerë: Jeremiah Paige, Josh Martin e Xavier Cannefax.

“Kemi tre amerikanë, plus shto këtu edhe Mylesin që llogaritet vendor. Mendoj se jemi të kompletuar në çdo aspekt. Mirëpo, për të qenë edhe më të sigurt në synimet tona, do të tentojmë të marrim edhe një lojtar vendor të dëshmuar për të krijuar një ekip edhe më të fortë e më të frikshëm. Myles do t’i bashkohet ekipit pas Vitit të Ri derisa të tjerët veçse janë në ekip”, shtoi Rifati.

Në dy edicionet e para në Superligë, Ponte Prizreni nuk pati ndonjë sukses të madh, përfundoi në pozitën e gjashtë të pjesës së rregullt dhe u eliminua në çerekfinale të garave të plejofit. Megjithatë, Rifati insiston se këtë sezon, Ponte Prizreni nuk do të shihet autsajder si në dy edicionet paraprake.

Advertisement

“Në dy edicionet e shkuara, mund të them se na kanë parë si autsajderë por tani nuk mund të them se po na shohin ashtu për shkak të startit të fuqishëm, i cili ka mundur të jetë edhe më i mirë. Besoj se me rezultatet që i kemi deri më tash, i kemi paralajmëruar të gjitha ekipet se nuk do të dorëzohemi pa e mbyllur sezonin me njërin prej trofeve”, u shpreh Rifati. “Kur e them këtë bazohem në faktin se si ekip jemi mobilizuar në çdo aspekt. Dhe, thjesht, mendoj se ka ardhur koha që Ponte Prizreni të arrijë diçka këtë edicion. Besoj se jemi në rrugë të mbarë”.

Tani për tani, te Ponte Prizreni po e shohin vetëm skuadrën e Pejës si konkurrente për trofe, ndonëse nuk përjashtojnë edhe Sigal Prishtinën, skuadër që deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të përforcohet.

“Superliga është e fortë dhe me ekipe të barabarta, por për momentin si konkurrent të vetëm e shoh Pejën, dhe atë nëse i mban lojtarët aktualë në ekip. Edhe Prishtina nuk përjashtohet këtu por mbetet të shihet se si do të mobilizohet për pjesën tjetër të këtij sezoni”, tha Rifati.

Ponte Prizreni në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar po aq fitore dhe duelin e radhës e luan këtë mesjavë në udhëtim te skuadra e Pejës.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy