Prishtina kërkon këndelljen kundër Gjilanit, për të mbetur në garë për titull

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Jo të gjitha ekipet e Superligës së Kosovës në futboll janë në pushim për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Prishtina dhe Gjilani do të përballen të martën (sot) në ndeshjen e mbetur të xhiros së 26-të të elitës së futbollit kosovar. Këto dy skuadra do të takohen në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00.

Kjo ndeshje ishte shtyrë për shkak të dy ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës, e cila po ashtu i zhvillon ndeshjet në stadiumin e kryeqytetit. “Dardanët” zhvilluan dy duele, miqësoren ndaj Lituanisë të cilën e fituan të mërkurën 4:0 dhe ndeshje kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022” kundër Suedisë, ku u mposhtën 3:0 të dielën. Tani “Fadil Vokrri” pret ndeshje të Superligës.

Prishtina dhe Gjilani kanë pasur kohë të përgatiten maksimalisht për ndeshjen e së martës. “Bardhekaltrit” do të hyjnë në këtë duel pas humbjes nga Feronikeli, 2:0. Disfata erdhi pas 18 takimeve rresht pa pësuar humbje. Në anën tjetër, Gjilani i motivuar me trajnerin e ri, Ismet Munishi, në javën e 25-të mposhti Trepçën ’89, 2:1. Gjilanasit kanë 36 pikë dhe zënë vendin e katërt.

Mbrojtësi i krahut të majtë të Prishtinës, Gledi Mici, ka deklaruar se ekipit kryeqytetas u kryejnë punë vetëm tri pikë. Sipas tij, Gjilani është skuadër me eksperiencë dhe pa presion. Për mbrojtësin nga Shqipëria, përballja me Gjilanin do të jetë e vështirë.

Advertisement

“Do të jetë ndeshje tepër e vështirë, pasi që Gjilani ka ekip me lojtarë me eksperiencë dhe trajner motivues, plus kësaj luan edhe pa presion. Ndërsa nga ana tjetër neve na kryejnë punë vetëm tri pikët dhe për çka kam besimin e plotë se do të japim maksimumin për ato pikë për të vazhduar tutje objektivin tonë”, ka thënë Mici për faqen zyrtare të klubit.

Me fitore eventuale, Prishtina e trajnerit Zekirija Ramadani do të afrohej në vetëm dy pikë me pozitën e parë dhe të dytë që i mbajnë Ballkani dhe Drita me nga 55 pikë.

Mesfushori i Gjilanit, Besar Musolli, ka deklaruar për KOHËN se janë përgatitur maksimalisht. Sipas tij, Prishtina ka skuadër të fortë dhe po kalon formë të mirë. Musolli konfirmon se Gjilani do të mundohet të marrë pikë të plota në kryeqytet.

“Normalisht, takim shumë i rëndësishëm për ne. Kemi pasur mjaft kohë për ta përgatitur ndeshjen. Siç dihet Prishtina po kalon nëpër një formë të mirë. Në këtë kohë pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtareve, jemi përgatitur shumë mirë. Shpresoj ta shfaqim në fushën e lojës. Qëllimi ynë kryesor është të dalim me rezultat pozitiv. Prishtina po kalon formë të mirë, ka një skuadër të mirë, mirëpo ne do japim maksimumin të dalim me pikët e plota”, tha Musolli

Advertisement

Optimist është shprehur edhe sulmuesi i Gjilanit, Fiton Hajdari. Ai ka thënë për KOHËN se në kryeqytet do të udhëtojnë për rezultat pozitiv. Hajdari e ka vlerësuar lart Prishtinën, por ka nënvizuar se Gjilani është përgatitur maksimalisht për të mos u kthyer duarthatë.

“Takimi kundër Prishtinës të martën do të jetë i vështirë. Do ta kemi përballë një kundërshtar të fortë. Ne si skuadër jemi përgatitur për këtë ndeshje maksimalisht, kemi punuar shumë gjatë kësaj periudhe dhe jemi të gatshëm. I dimë pikat e forta dhe pikat e dobëta të Prishtinës dhe do të shkojmë për rezultat pozitiv në Prishtinë. Besoj që do të jetë një ndeshje interesante. Pikët janë të rëndësishme për të dyja skuadrat andaj ne do të japim më të mirën në fushë për të nxjerr rezultat pozitiv”, u shpreh Hajdari.

Në dy ndeshjet e këtij sezoni, secila skuadër e ka arritur nga një fitore. Gjilani kishte fituar në Prishtinë me rezultat 2:0, kurse kryeqytetasit triumfuan në Gjilan me shifrat 3:0. Për trajnerin e Gjilanit, Ismet Munishi, do të jetë ndeshja e dytë në krye të skuadrës. Ai zëvendësoi të larguarin Bylbyl Sokoli dhe u bë trajneri i tretë i Gjilanit në këtë kampionat.

Nga fillimi i sezonit Prishtinën po e drejton trajneri Zekirija Ramadani. Përveç garës për titull, Prishtina është edhe në Kupën e Kosovës ku ndodhet në gjysmëfinale. Prishtinasit do të përballen me Llapin në gjysmëfinale të Kupës.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy