Prishtina në vitin 2024 me sallë sportive me 5000 ulëse

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Shumë telashe kanë pasur viteve të fundit Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Hendbollit për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare. U është dashur të bëjnë improvizime për të plotësuar kriteret minimale për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

Me këtë problem pritet të përballen edhe disa vjet. Por jo edhe pas vitit 2024.

Në Komunën e Prishtinës janë të bindur se salla e sporteve, që besojnë se do të nisë së ndërtuari në gusht apo më së largu në shtator të këtij viti, do të përfundojë në fund të vitit 2023 apo në fillim të vitit 2024. Salla do të ndërtohet në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, dhe do t’i ketë afro 5000 ulëse.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se nga buxheti i këtij viti janë ndarë rreth një milion euro, ndërsa në total ndërtimi i objektit sportiv thotë se do të kushtojë rreth dy milionë euro.

Advertisement

“Nuk mund të paragjykojmë koston për shkak se nuk e dimë se çfarë projektesh do të na vijnë, megjithatë ne kemi ndarë një buxhet fillestar nga buxheti i sivjetmë, 800 mijë deri një milion euro. Natyrisht kjo nuk do të jetë kostoja e sallës, sepse ne e dimë që një sallë e ngjashme si ajo e Rahovecit kushton rreth 2 milionë euro. Ne po pretendojmë që të kemi një sallë më të madhe që i zë deri në 5000 shikues që kategorizohet sipas standardeve të nivelit të dytë, pra nuk është e arenave që janë deri në 25 mijë ulëse, por është e dyta ku do të mund të zhvilloheshin edhe ndeshjet ndërkombëtare. Natyrisht është edhe një fushë sportive për trajnime për nevojat e klubeve të cilat janë në Prishtinë me idenë që të kemi një sallë përfaqësuese. Do të jetë në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, aty kemi një hapësirë më të madhe”, ka thënë Ahmeti të martën për KOHËN.

I pari i Komunës së Prishtinës ka thënë se javën e ardhshme do të hapet konkursi për aplikim për projektin ideor të sallës së sporteve. Thotë se kjo mund të marrë kohë 60 ditë, por me të përfunduar procedurat e konkursit, Ahmeti pret që punët tjera të nisin menjëherë.

“Konkurset e tilla po zgjasin 45 deri 60 ditë. Me sallë koncertale po më duket i kemi pasur 45 ditë, ndërsa për sallën 60 ditë. Prej projektit ideor nuk presim projektin e detajuar, por shpallim tenderin për kompaninë e cila edhe do ta zhvillojë projektin e detajuar dhe do ta bëjë sallën. Në momentin që përfundojnë të gjitha këto, fillojmë me ndërtimin, sepse nuk kemi çka të presim. Jo që shpresoj, por jam i bindur që punimet fillojnë këtë vit, në gusht apo shtator. Për shkak që është sallë e madhe do të duhej të përfundonte për 18 deri 24 muaj, kështu që po i bie që deri në vitin 2023-2024 të jetë gati në atë sezonin e basketbollit dhe të hendbollit”, ka shtuar Ahmeti.

Por Ahmeti thotë se brenda këtij viti do të nisin edhe punët në rinovimin e sallës së djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, sallë që u dogj në vitet e para të pasluftës. Ai thotë se projekti i ndërtimit të sallës në afërsi të Stacionit të Autobusëve assesi nuk e pengon rinovimin e sallës së madhe.

Advertisement

Në të vërtetë janë rinovuar shumë salla në Kosovë e disa të tjera që janë ndërtuar kanë zgjatur me vite deri në përfundim. Por, disa palestra kanë të meta të mëdha. Por Ahmeti insiston se salla do të jetë sipas standardeve ndërkombëtare dhe do t’i plotësojë të gjitha kriteret për ndeshje ndërkombëtare si për klubet e Prishtinës ashtu edhe për përfaqësueset.

“Ndërtimi i sallës në asnjë mënyrë nuk e përjashton rinovimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Jemi duke punuar edhe për gjetjen e mënyrës së investimit, sepse rinovimi është bukur i kushtueshëm. E kemi diskutuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po shohim mënyrën e kreditimit, besoj shumë shpejt do të bëhet edhe rinovimi i sallës së djegur, sepse Prishtina ka nevojë për të gjitha këto salla. Ajo salla e madhe ka kosto rreth 10 milionë, pasi dëmtimin që e ka pasur tregon se struktura nuk është prishur, por nevojiten gjëra të tjera”, ka theksuar Ahmeti.


Komuna e Prishtinës gati të nisë ndërtimin e pishinës olimpike

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se brenda këtij viti do të bëhet një zgjidhje për përfundimin e projektit për pishinën olimpike. Ai ka thënë se studimi i fizibilitetit ka përfunduar, kurse janë në fazën e gjetjes së mënyrës së investimit. Ai ka theksuar se kostoja e ndërtimit është rreth 15 milionë euro.

Advertisement

“Sivjet do të bëjmë zgjidhje edhe për përfundimin e projektit për pishinën olimpike që tashmë i kemi gati edhe studimin e fizibilitetit. Kostoja e saj është rreth 15 milionë euro dhe ne po mendojmë që me sektorin privat bashkë ta gjejmë një zgjidhje që të ndërtohet dhe pastaj ajo të jetë në pronësi të Komunës. Është menduar prapa Pallatit dhe është projekt i viteve ‘80, pra ekziston edhe projekti i detajuar, por natyrisht duhet një azhurnim t’i bëhet. Por mund të them se është projekt më i mirë se ndoshta ata që po bëhen sot”, ka thënë Ahmeti për KOHËN.

Edhe Pishina Olimpike është premtuar të ndërtohet vite më parë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy