Rrëfehet Igli Tare: Nga kalimi te Milani, dyshja Hysaj-Muriqi dhe kandidimi për kreun e FSHF

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rrëfehet Igli Tare: Nga kalimi te Milani, dyshja Hysaj-Muriqi dhe kandidimi për kreun e FSHF

“Zakonisht nuk kam parashikime, por jam shumë optmisit prej formës në dy ndeshjet e para. Shpresojmë ta mbyllim me një fitore, pasi është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit”. Këto janë fjalët e Igli Tares, i cili në prag të ndeshjes me Milanin është rrëfyer në 360 gradë për Oversport, që transmeton ekskluzivisht kampionatin e Serie A në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Vlonjati, i cili është drejtor sportiv i Lazios, e nisi bisedën me Cindy Marina duke folur për nisjen e kampionatit: “Nisja është pozitive, me shumë entuziazëm. Kemi marrë dy fitore të merituara dhe me Milanin kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për të kuptuar kualitetin e kësaj skuadre. Besoj se do ia dalim me sukses”.

Afrimi i Sarrit si trajner është komentuar më pas nga ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare: “Sarri është një trajner shumë pozitiv. Afrimi i tij te Lazio është një hap i rëndësishëm, sidomos për momentin që po kalon klubi dhe skuadra. Ardhja e tij dhe eksperienca e tij do të jetë shumë pozitive për skuadrën tonë në vazhdimësi”.

A është më e lehtë të bindë lojtarët, apo trajnerët? Pyetjes së Cindyt Tare i përgjigjet kështu: “Varet, herë-herë nuk është e vështirë për shkak se shumë trajnerë dhe shumë lojtarë kanë një dëshirë të madhe të jenë pjesë e jona. Normal ka raste kur ka vështirësi si profesion, pasi janë të gërshetuara me çmimet dhe klubet ku janë. Deri tani është një eksperiencë pozitive dhe nuk ka qenë i vështirë t’i bindim”.

Advertisement

Këtë verë te Lazio është transferuar edhe Elseid Hysaj, që Lazio ka tentuar ta afrojë që kur ishte tek Empoli. Në lidhje me shkodranin, Tare shton: “Hysaj duhet të kishte ardhur te Lazio që në moshë të re, 17 vjeç. Që atëherë ne jemi munduar ta marrim, por nuk u bë e mundur. Kësaj here ishte një dëshirë e përbashkët. Ishte lojtar i lirë dhe ishte një mundësi e mirë në merkato. Së dyti ishte një kërkesë edhe e Sarrit, pasi ai ka qenë ai që e ka futur në futbollin e Serie A. Ishte një dëshirë e përbashkët”.

Vedat Muriqi ka qenë shpesh një temë e nxehtë te Lazio dhe Tare nuk shmanget: “Nuk është se humbet shumë Muriqi nga Kosova te Lazio. Ka pasur vështirësi në përshtatjen nga futbolli turk në futbollin italian, por mbi të gjitha e kanë penalizuar dëmtimet. Ato ia kanë bërë të vështirë futjen në futbollin italian. Këtë vit e ka bërë fazën me skuadrën dhe rezultati shikohet në ndeshjet që ka pasur mundësi të luajë dhe nga forma fizike që ai ka treguar, si me ne, ashtu edhe në ndeshjet e Kosovës”.

A po e mendon Tare kandidimin për president të FSHF? Për momentin jo, nëse i referohemi fjalëve të tij: “Jam akoma djalë i ri për të patur një ambicie të tillë. E kam thënë gjithmonë që është dëshira ime që të kontribuoj për rritjen e futbollit shqiptar. Ndoshta një ditë, pse jo. Akoma kam për të dhënë këtu ku jam, e ndjej veten mirë me këtë që bëj. Normalisht mbetet një opsion i hapur”.

Në fund Tare foli edhe për mundësinë e kalimit te Milani, që ka qenë një skenar real në të shkuarën: “Raportet me Maldinin i kam shumë të mira, pasi kam pasur fatin edhe të luaj kundër tij si lojtar. Kemi një lloj respekti dhe ka qenë një mundësi që unë të punoja për Milanin para dy vitesh, por besoj se klubi ku jam më mbush, më ofron të gjitha ato mundësitë për të kënaqur ambiciet e mia profesionale. Ka qenë thjeshte një zgjidhje e imja” 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy