Superliga vazhdon të mërkurën pas pushimit prej tri javësh

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prishtinë, 23 shkurt – Pas më shumë se tri javësh pushim, të mërkurën kthehen ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll. Të mërkurën dhe të enjten do të luhet xhiroja e 20-të.

Ndeshje kampionale nuk janë luajtur që nga fundi i janarit, shkaku i turneut final të Kupës dhe ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Kosova dëshpëroi në parakualifikime duke mbetur e fundit në grup, ndërsa shpresohet për më shumë emocion në ndeshjet e Superligës, ndonëse ato vazhdojnë pa tifozë.

Ndeshjet e fundit të Superligës ishin zhvilluar më 31 janar, kurse skuadrat vlerësojnë se janë të gatshme për të rifilluar garën.

Edhe pse të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje vlerësohen interesante, vëmendja pritet të jetë në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku do të zhvillohet derbi i qytetit ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Bashkimit. Ekipet prizrenase janë përforcuar para përballjes që e kanë ndërmjet vete. Ky duel luhet të enjten prej orës 15:00.

Advertisement

Në dy ndeshjet e mëparshme të këtij edicioni, skuadrat kanë nga një fitore. Ponte Prizreni ka 32 pikë dhe zë vendin e dytë në tabelë, sa i ka edhe Golden Eagle Ylli, që është lider pas 19 xhirove të zhvilluara. Bashkimi renditet i pesti me 29 pikë.

Bashkimi vikendin e shkuar konfirmoi përforcimin Obinna Oleka (203 cm), i cili në pozitën e qendrës do ta zëvendësoj Endrit Hysenagollin. Ky i fundit, që iu bashkua Bashkimit në fund të vitit të shkuar, është kthyer në Shqipëri te Goga Basket. Në Shqipëri do të nis kampionati pas pritjes së gjatë. Hysenagolli te Bashkimi i luajti tetë ndeshje në Superligë dhe ishte ndër më të dalluarit në ekip, me një mesatare prej 15,1 pikëve e 13,8 kërcimeve për ndeshje.

“Hysenagolli është kthyer në Shqipëri pasi të tillë e kemi pasur marrëveshjen me të. Pasi u largua ai kemi intervenuar duke sjellë një të huaj për ta mbuluar boshllëkun, që edhe besoj se do ta bëjë një gjë të tillë. Pas pauzës mendoj se ekipi është i gatshëm për të vazhduar me garat dhe të arrijmë synimet që kemi deri në fund të pjesës së rregullt”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra, të martën për KOHËN.

“Me Ponte Prizrenin besoj se do të jetë një derbi i vërtetë si gjithmonë dhe natyrisht synimet tona janë për ta fituar ndeshjen. Jemi përgatitur mirë dhe besoj se ekipi do t’i zbatojë me përpikëri detyrat për këtë duel. Natyrisht Ponte është një ekip i mirë dhe këtë e kemi parasysh, por ne kemi synimet tona dhe duhet t’i arrijmë”.

Advertisement

Bashkimi në ndeshjen e fundit kampionale e ka mposhtur Rahovecin (86:83), derisa Ponte Prizreni ka pësuar në shtëpi nga Sigal Prishtina (74:66).

Edhe te Ponte Prizreni kanë bërë lëvizje para rifillimit të garave. Ekipi ka larguar amerikanin Jeremiah Paige derisa Javier Xannefax nuk ka arritur t’i bashkohet ekipit me kohë për shkak se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe ka mbetur i izoluar në SHBA, ku ishte kthyer për pushime.

Situatë të ngjashme me Ponte Prizrenin ka edhe Bashkimi me basketbollistin amerikan Sean Hoehn. Megjithatë, Ponte Prizreni tashmë ka marrë masat duke e zëvendësuar Paigen e larguar me bashkëkombësin e tij, Landon Taliaferron. Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, pret që ekipi i tij të reagojë pas humbjes së fundit duke triumfuar në derbin e qytetit.

“Gjithmonë derbi i qytetit është interesant dhe pesha e ndeshjes është shumë e madhe si për ne ashtu edhe për Bashkimin. Pa dyshim që do të jetë një ndeshje e fortë dhe interesante. Ne kemi bërë disa ndërrime në ekip dhe mendoj se jemi plotësisht të gatshëm. Sikurse në çdo ndeshje tjetër edhe në këtë derbi lokal do të futemi për fitore. Duam ta mbajmë hapin për pozitën e parë pasi ky është synimi”, është shprehur Rifati.

Advertisement

Në palestrën “Karagaçi” në Pejë të enjten do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit. Skuadra nga Suhareka do të përpiqet ta mbajë kreun e tabelës pas humbjes në finalen e Kupës së Kosovës nga Sigal Prishtina. Te Peja në këtë ndeshje do të luajë përforcimi Leron Dendy.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë pas një pushimi të gjatë. Kemi pushuar mirë dhe ditët e fundit kemi stërvitur dhe jemi përgatitur për rifillimin e kampionatit. Përballë kemi një kundërshtar që e respektojmë shumë por nuk kemi hapësirë për të humbur më ndeshje. Kështu që jemi gati“, ka thënë trajneri i Yllit, Fatih Emre Gezer.

Ndërkohë xhiroja do të nisë të mërkurën me ndeshjen ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit që starton prej orës 15:00. Skuadra nga Gjakova gjatë periudhës së pushimit ka bërë ndërrime të shumta në ekip pas ardhjes së trajnerit të ri, kroatit Branimir Paviq. Fillimisht Vëllaznimi e zyrtarizoi amerikanin Kendall Jacks, të cilin e largoi pas një periudhe të shkurtër për të konfirmuar ardhjen e dy amerikanëve të tjerë, Ty Nichols e Tiwian Kendley, që pritet të debutojnë me Prishtinën. Vëllaznimi në radhët e veta aktualisht ka katër amerikanë, pasi pjesë e ekipit janë edhe Emmanuel Emogbo e Cendrik Council. Vëllaznimi që këtë edicion është kthyer në elitë pas tre vjetësh, por zë vendin e fundit në tabelë me 23 pikë, dy më pak se Trepça e Prishtina.

Ndërkohë prej orës 17:00 do të luhet dueli në palestrën “Mizahir Isma” ndërmjet Rahovecit dhe Trepçës. Te Rahoveci në këtë ndeshje do të debutojë trajneri nga Greqia, Fotis Takianos, që mori drejtimin e ekipit ditë më parë duke e zëvendësuar Bujar Locin.

Advertisement

Superliga – XX

E mërkurë

S. Prishtina – Vëllaznimi (15:00)

Rahoveci – Trepça (17:00)

Advertisement

E enjte

P. Prizreni – Bashkimi (15:00)

Peja – G.E. Ylli (17:00)

1. G.E.Ylli 19 32

Advertisement

2. P. Prizreni 19 32

3. Peja 19 31

4. Rahoveci 19 31

5. Bashkimi 19 29

Advertisement

6. S. Prishtina 19 25

7. Trepça 19 25

8. Vëllaznimi 19 23

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy