UEFA po konsideron lejimin e skuadrave të zgjeruara në “Euro 2020”

Pinterest LinkedIn Tumblr +

UEFA po vlerëson mundësinë e lejimit të skuadrave më të zgjeruara në Kampionatin Evropian të këtij viti, pas thirrjeve nga disa përzgjedhës të përfaqësueseve që kanë frikë t’i humbin lojtarët si pasojë e infektimit me koronavirus.

UEFA duket se do të lejojë një gjë të tillë, për shkak se nuk dëshiron që shkaku i COVID-19 përfaqësueset pjesëmarrëse në “Euro 2020” të kenë telashe me futbollistët.

“UEFA po e shqyrton këtë çështje. Asnjë vendim nuk është marrë ende, por pritet së shpejti”, kanë thënë burime të afërta me UEFA-n.

Ky opsion është nxitur nga thirrjet e trajnerëve, veçanërisht ata të Italisë, Belgjikës dhe Francës, në mënyrë që të jenë të përgatitur për numrin e madh të testeve pozitive për koronavirus që mund t’i detyrojnë lojtarët të futen në izolim gjatë turneut.

Advertisement

“Euro 2020” u shty vitin e kaluar për shkak të pandemisë, por pritet të zhvillohet këtë vit në disa vende në të gjithë kontinentin, nga 11 qershori deri më 11 korrik. Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, këtë javë i bëri thirrje UEFA-s që të lejojë skuadrat të emërojnë në listat e tyre të paktën 27 lojtarë. Përfaqësueset zakonisht kanë emëruar skuadrat me 23 lojtarë në Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian që nga viti 2002 kur Botërori u mbajt në Japoni dhe Korenë e Jugut. Para kësaj vetëm 22 lojtarë ishin të lejuar në çdo skuadër në turnetë ndërkombëtarë.

“Idealisht ne do të ishim në gjendje të kishim një portier shtesë, mbrojtës, mesfushor dhe sulmues, kështu që 26 ose 27 lojtarë në skuadër do të jetë zgjidhje e mirë për të gjithë pjesëmarrësit në Kampionatin Evropian”, tha Martinez, pasi Belgjika mundi Bjellorusinë 8:0 në kualifikimet e kampionatit botëror “Katari 2022”.

UEFA tashmë ka vendosur që përfaqësueset do të lejohen të bëjnë deri në pesë zëvendësime në ndeshjet e Evropianit në vend të tri të zakonshmeve, në përputhje me rregullat aktuale në shumë gara të klubeve.

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, beson se të jesh në gjendje të thërrasësh lojtarë shtesë do të ishte një burim i mëtejshëm i mbrojtjes nga lodhja, gjithashtu një çështje kryesore në një kalendar të mbushur me ndeshje.

Advertisement

“Unë mendoj se do të ishte mirë nëse UEFA do të shikonte skuadrat e zgjeruara nga dy ose tre lojtarë, për sa kohë që të gjithë mund të emëroheshin në fletën e ekipit për ndeshje”, tha Deschamps, skuadra e të cilit nuk u prek nga COVID-19 gjatë ndeshjeve të muajit të shkuar. “Ne nuk kemi pasur ndonjë rast pozitiv, por mendoj se me lodhje dhe gjithçka tjetër do të ishte diçka e mirë zgjerimi i ekipit”.

Megjithatë, kundër idesë së zgjerimit të skuadrave në Evropian është shprehur përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate. Ai insistoi se është kategorikisht kundër lejimit që listat e përfaqësueseve në Evropian të bëhen më të mëdha.

“Unë e di se ka disa diskutime rreth kësaj çështjeje dhe nuk mendoj se UEFA duhet të miratojë një gjë të tillë”, është shprehur Southgate. “Nuk jam i sigurt se do ta përkrah këtë vendim. Unë e di që koronavirusi mund të ketë një rol në Evropian, por mendoj se mjaftojnë 23 futbollistë. Kur përzgjedh lojtarët, atëherë do të thotë se keni marrë vendime të rëndësishme. Dhe nëse zgjerohet lista, atëherë shumë prej tyre mund të mbesin pa luajtur, që mendoj se nuk do të ishte korrekte”.

Një vendim mund të merret në takimin e ardhshëm të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që do të mbahet këtë muaj, saktësisht më 19 prill. Në këtë takim gjithashtu pritet të bëhet edhe një njoftim për ndonjë ndryshim eventual në listën e 12 qyteteve organizatore për Kampionatin Evropian. Tani për tani vendimi është që Evropiani të mbahet në qytetet si Londra, Munichu, Roma, Bakuja, Saint Petersburgu, Bukureshti, Bilbao, Glasgowi, Dublini, Kopenhaga, Amsterdami e Budapesti.

Advertisement

“Shpresoj që kërkesa e trajnerëve për zgjerimin e listës së lojtarëve do të merret seriozisht parasysh nga UEFA. Do të ishte një ndihmë e rëndësishme për të gjitha ekipet në Evropian”, ka thënë përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy