Xhiroja e fundit vendos për plejof, plejaut e rënie nga liga

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Skuadrën më të suksesshme të basketbollit kosovar, Sigal Prishtina, po e ndan një fije e hollë mes suksesit dhe dështimit. Sukses për Prishtinën do të ishte pjesëmarrja në garat e plejofit derisa dështim do të llogaritej mbetja në zonën e plejautit apo rënia nga Superliga.

Të tri këto opsione janë të hapura për Prishtinën para xhiros së fundit të pjesës së rregullt të këtij edicioni, që zhvillohet të shtunën dhe të dielën.

Në xhiron e 28-të, Sigal Prishtina përballet me skuadrën e Bashkimit. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 19:00 në Prishtinë dhe do të jetë vendimtare për të dyja skuadrat. Për dallim prej Prishtinës, që i ka tri mundësitë e hapura, për Bashkimin janë vetëm dy mundësi: plejofi dhe plejauti.

Prishtina – Bashkimi llogaritet ndeshja më vendimtare e pjesës së rregullt për të dy ekipet. Prishtina aktualisht ka 37 pikë dhe është e shtata ( e parafundit) në tabelë, pozitë që dërgon në plejaut. Kurse Bashkimi ka një pikë më shumë dhe zë vendin e gjashtë.

Advertisement

Edhe këtë edicion gjashtë skuadrat e para në pjesën e rregullt do të avancojnë në plejof. Skuadra e renditur në pozitën e parafundit do të luajë në plejaut, kurse skuadra e fundit do të bjerë në një rang më poshtë. Dy ekipet e para kualifikohen direkt në gjysmëfinale të plejofit derisa skuadrat prej pozitës së tretë deri në të gjashtën do të luajnë në çerekfinale. Prishtina këtë edicion i ka fituar Superkupën dhe Kupën e Kosovës, por në kampionat ka pasur rezultate të dobëta. Ka shënuar dhjetë fitore karshi 17 humbjeve dhe dueli i fundit ndaj Bashkimit mund ta vendosë fatin e saj në kampionat.

Prishtina mund ta sigurojë plejofin nëse e mposht Bashkimin me më shumë se shtatë pikë dallim. Çdo fitore me diferencë më të vogël do ta mbajë në pozitën e parafundit në tabelë, pos nëse Trepça nuk fiton ndaj Ponte Prizrenit (e shtunë 17:00). Në tri ndeshjet e luajtura ndërmjet vete, Bashkimi ka bilanc pozitiv ndaj Prishtinës. E ka mposhtur dy herë karshi një disfate dhe ka koshdallimin plus shtatë pikë.

Te Prishtina po diskutohet vetëm fitorja dhe atë me diferencë që siguron plejofin. Megjithatë, Prishtinës mund t’i mjaftojë edhe fitorja me më pak se shtatë pikë, por me kushtin që Ponte Prizreni ta mposhtë Trepçën.

Trepça është e pesta në tabelë me 38 pikë, kurse Ponte Prizreni e ka siguruar pozitën e parë me 46 pikë. Në rast se Trepça pëson humbje në këtë takim dhe Prishtina e mposht Bashkimin me çfarëdo rezultati, atëherë skuadra nga Mitrovica do të mbetet në plejaut. Në fakt me humbjen eventuale të Trepçës dhe fitoren e Prishtinës ndaj Bashkimit, të tri skuadrat do të përfundonin me pikë të barabarta – 39, por që mitrovicasit kanë më së paku fitore në ndeshjet e ndërmjetme. Dhe kjo do të bënte që Trepça të mbetej e shtata dhe të vazhdonte në plejaut.

Advertisement

Humbja as që vjen në shprehje, ka insistuar kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi. Në rast të humbjes së Prishtinës dhe fitores së Vëllaznimit në udhëtim te Peja, atëherë “bardhekaltrit” do ta mbyllnin pjesën e rregullt në pozitën e fundit dhe do të binin nga elita.

“Ne jemi në pozitë më të mirë se Trepça e Bashkimi që gjithashtu luftojnë për një vend në plejof. Me fitore prej tetë pikëve ndaj Bashkimit, ne e kemi të sigurt plejofin, kurse në rast të humbjes së Trepçës, neve në plejof na dërgon fitorja me cilëndo diferencë të pikëve. Kështu që synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen kundër Bashkimit dhe të marrim pjesë në plejof. Nëse nuk sigurojmë plejofin, atëherë do të ishte dështim për neve”, është shprehur Azemi. “Jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për ta fituar këtë ndeshje që natyrisht nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo edicioni ynë varet nga kjo ndeshje që duhet ta fitojmë”.

Edhe te Bashkimi po insistojnë se do të udhëtojnë në Prishtinë vetëm për fitore. Kështu ka thënë trajneri i ekipit nga Prizreni, Franko Sterle. Në fakt, Sterle as që dëshiron të bazohet te ndeshja ndërmjet Ponte Prizrenit e Trepçës, por do të fokusohet për ta mposhtur Prishtinën. Sterle insiston se Bashkimi e ka synim pjesëmarrjen në garat e plejofit dhe është optimist për këtë.

“Synimi i Bashkimit prej fillimit ka qenë plejofi, por dëshira dhe mundësia janë krejt diçka tjetër. Ndaj Prishtinës do të dalim në parket për fitore, kurse cili do të jetë epilogu i ndeshjes do ta shohim në fund. Shpresoj që ekipi gjatë tërë ndeshjes të jetë në nivel të lartë dhe të mos dorëzohet për asnjë moment, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta fitojmë ndeshjen. Këtë basketbollistët e kanë parasysh dhe besoj se do ta bëjnë”.

Advertisement

Te Trepça e kanë parasysh se vetëm fitorja në udhëtim ndaj Ponte Prizrenit, që është favorit, i mban në plejof dhe janë optimistë se mund të triumfojnë. “Xehetarët” nuk dëshirojnë të varen nga rezultati i ndeshjes në Prishtinë. Madje e kanë quajtur ndeshjen jetike.

“Kjo ndeshje është jetike pasi mund të sigurojmë plejofin, por edhe të mbesim në plejaut. Natyrisht synimi është plejauti dhe për të arritur këtë duhet ta mposhtim Ponte Prizrenin, një ekip shumë të fortë. Megjithatë, ne jemi super të motivuar për këtë ndeshje dhe besoj do ta fitojmë”, ka thënë basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi.

Ndërkohë, skuadra më e rrezikuar mbetet Vëllaznimi. Renditet e fundit, kurse të dielën prej orës 19:00 luan në udhëtim ndaj Pejës, ekip që tashmë ka siguruar pozitën e katërt. Vëllaznimi ka 36 pikë dhe vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë nga rënia në Ligën e Parë pas një sezoni në Superligë. Krahas fitores ndaj Pejës, Vëllaznimit i duhet që Prishtina të mposhtet nga Bashkimi për ta siguruar pozitën e parafundit dhe ndeshjen e plejautit.

“Gjasat tona janë shumë të vogla pasi varemi prej rezultateve të tjera. Mirëpo përderisa të ekzistojë mundësia ne do të besojmë”, është shprehur shkurt trajneri i Vëllaznimit, Branimir Paviq.

Advertisement

Për dallim prej tri ndeshjeve të tjera, dueli ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit vendos për pozitën e dytë në tabelë që dërgon direkt në gjysmëfinale të plejofit. Ky takim luhet në Suharekë të dielën, prej orës 17:00. Aktualisht Ylli është i dyti në tabelë me 44 pikë, sa i ka edhe Rahoveci në pozitën e tretë, por me koshdallim më të dobët. Kështu që cila skuadër do të dalë fituese nga kjo përballje do ta mbyllë pjesën e rregullt të këtij edicioni në pozitën e dytë.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy