Berat Luzha: Veleshta-fshati i madh, të cilin po e ha gurbeti

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Veleshta-fshati i madh, të cilin po e ha gurbeti
Shkruan: Berat Luzha
Kënga e bukur “Veleshtare moj kokonë”, para disa dekadave ishte shumë e popullarizuar në të gjitha trojet shqiptare. Kjo këngë e ka origjinën nga Veleshta, fshat afër Strugës.
Veleshta, një fshat i madh sa një qytet, ndodhet në rrugën nga Struga për në Dibër, 8 km nga Struga dhe 45 km nga Dibra. Ky fshat, i shtrirë në një tokë të rrafshët e të begatë, mes Drinit të Zi e vargmalit të Jabllanicës, në majat e të cilit përshkon vija kufitare Shqipëri – Maqedoni e Veriut, është ndër fshatrat më të mëdhenj në komunën e Strugës, në Republikën e Maqedonisë dhe në trojet shqiptare.
Nëpër periferinë e Veleshtës rrjedhë i qetë lumi Drini i Zi, i cili pak më lart, në Strugë, del nga Liqeni i Ohrit për t’u bashkuar me vëllain, Drinin e Bardhë në Kukës e për të vazhduar deri në Detin Adriatik. Një kohë ishte komunë më vete, por para disa viteve iu bashkua komunës së Strugës. Rreth prejardhjes së emrit të fshatit ka disa hipoteza, por më e qëndrueshme është se rrjedhë nga fjala “vjelje”, që d.m.th. vjelje e rrushit, pasi Veleshta dikur ishte vendbanim ku është kultivuar rrushi dhe është prodhuar vera.
Sipas regjistrimit të vitit 2002 Veleshta kishte rreth 1000 shtëpi me 8200 banorë, prej të cilëve rreth 3700 jetojnë në mërgim. Vlerësohet se sot Veleshta ka rritur numrin e banorëve në rreth 11 mijë banorë, nga të cilët, rreth 30 për qind e tyre jetojnë në mërgim.
Në mes të fshatit gjenden dy rrape të mëdhenj, me kurora të gjera, të vjetër rreth 250 vjet, që vlerësohen si simbol dhe sinonim të Veleshtës. Dhe, përmes fshatit rrjedhë një lumë i vogël, i cili shfrytëzohet për ujitjen e tokave të begata të Veleshtës.
Në fshatin Veleshtë veprimtarinë kulturore artistike e zhvillon shoqëria “Shpresa”. Kjo shoqëri me përkushtim kultivon trashëgiminë tonë në folklor, veçanërisht vallen e njohur dyshe të Veleshtës. Edhe pse pa përkrahje institucionale, Veleshta ka formuar klube sportive në futboll (KF “Veleshta”), basketboll, volejboll, hendboll, karate e boks. Pos në atdhe, veleshtarët janë të organizuar edhe në mërgatë. Mërgimtarët e Veleshtës janë të organizuar në shoqatën kulturore dhe sportive “Veleshta” në Austri e në vende tjera, me qëllim për ta ndihmuar fshatin e tyre
Veleshta është një fshat i arsimuar, me numër të madh të intelektualëve, e cila ka përçuar gjithandej dhe përherë vlera të larta arsimore, kulturore, sportive etj. Veçanërisht, fshati shquhet për numrin e madh të poetëve e shkrimtarëve, që janë të njohur në përmasa kombëtare. Fejzi Vinca ishte pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe e kishte sjellë abetaren e parë shqipe në fshatin e tij. Nga Veleshta është edhe profesori im i gjuhës shqipe në gjimnaz, poeti e studiuesi i njohur 90-vjeçar, Dr.Nuhi Vinca, si dhe vëllai i tij, gjithashtu poet e shkrimtar, Dr.Agim Vinca.
Kurbeti ishte një plagë e vjetër e Veleshtës, por sot në këtë fshat ka marrë përmasa shqetësuese. Brenga më e madhe e veleshtarëve sot është largimi i rinisë në mërgim. Ata thonë se më shumë se gjysmën e banorëve të fshatit e mori kurbeti. Veleshta e madhe ka mbetur me pak të rinj, me pak fëmijë, me pak nxënës. Veleshtarë ka në Strugë e Ohër, në Tetovë e Shkup, në Prishtinë e Tiranë, në Evropë e Amerikë… Vetëm në Zvicër ndodhet një Veleshtë e tërë. Derisa veleshtarët ikin nga fshati i tyre, në Veleshtë vijnë për të punuar bashkatdhetarë nga ana tjetër e kufirit. Në Veleshtë çdo verë organizohen takimet tradicionale të veleshtarëve, të cilat kalojnë në atmosferë festive dhe të çmalljes me vendlindjen dhe bashkëfshatarët. Duke qenë se banorët e fshatit Veleshtë shquhen edhe për humanizëm, në këto takime marrin pjesë edhe familjet nga Bosnja dhe Kosova, të cilat gjatë luftërave ishin strehuar në këtë fshat. Për të ndihmuar familjet në nevojë në fshat dhe jashtë tij kujdeset shoqata humanitare e fshatit Veleshtë.
Veleshta, pos fshat bujqësor e blegtoral, njihet edhe si fshat i qindra veprimtarive afariste; i shitoreve, i kafiterive, i mullinjve, i furrave, i pikave të karburantit, i ndërmarrjes së granitit e mermerit, i ndërmarrjes së drurit, i betonieres etj. Madje, Veleshta mund të thuhet me të drejtë se është edhe fshat hotelier e turistik, me dy hotele dhe nëntë restorante bashkëkohore.
Duket se shteti nuk ka investuar apo ka investuar shumë pak në Veleshtë. Fshati kryesisht ka investuar me vetëkontribut për ta kompletuar rrjetin rrugor, rrjetin e kanalizimit, rrjetin e ujësjellësit, rrjetin elektrik, rrjetin telefonik.
Fshati Veleshtë ka edhe histori të dhunës e të shpërnguljes. Kjo histori është e vjetër, që nga fillimshekulli i XX-të. Nga ana tjetër, Veleshta ishte një qerdhe e atdhedashurisë, me shumë veprimtarë që vepruan, jo vetëm në fshatin e tyre e në komunën e tyre, por edhe në Tetovë e Shkup, në Prishtinë e gjithandej në trojet shqiptare e në mërgatë.
Veleshtarët shpresojnë që do të vjen një ditë kur largimi do të ndalet, kur numri i nxënësve në shkollë do të rritet, kur rrugët e fshatit do të mbushen përsëri me fëmijë. Sepse, Veleshta ka natyrë të bukur, tokë të shëndoshë, tradita të pasura, popull krenar…

Berat Luzha: Veleshta-fshati i madh, të cilin po e ha gurbeti shkruan Struga Ekspres.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy