ANALIZA: Mirë se vini në 2020, ku teknologjia do të zbulojë dhe asgjësojë viruset

Pinterest LinkedIn Tumblr +
ANALIZA: Mirë se vini në 2020, ku teknologjia do të zbulojë dhe asgjësojë viruset

Është 2022 dhe sapo ke mbërritur në destinacionin e ëndrruar. Sapo zbret nga avioni, një robot ju uron mirëseardhjen me një aparaturë me laser që të mat temperaturën. Je ende përgjumësh pas një fluturimi të gjatë ndëroqeanik dhe truri mezi e përthith sinjalin “bip” të robotit. Kontrolle të ngjashme kalove edhe para se të hipje në avion, disa orë më parë, ndaj nuk ke gjë për t’u shqetësuar.

Bashkohesh pa vonesa në radhën e inspektimit të frymëmarrjes, ku një punonjës me një pajisje të vogël në dorë ta drejton atë në drejtim të gojës e hundës. Si koncepti, testi është i ngjashëm me pajisjet që masin nivelet e alkoolit, veçse pajisja në fjalë dallon koronavirusin, duke zbuluar pacientët asimptomatikë, që nuk janë të sëmurë, por mund të infektojnë të tjerët.

Je familjar me procedurën që duhet ndjekur dhe kollitesh i sforcuar në drejtim të pajisjes. Pret për 30 sekonda dhe makineria ndez dritën jeshile dhe një sinjal “bip”, që do të thotë se mund të vazhdosh të marrësh pasaportën dhe të përmbyllësh burokracitë e tjera të udhëtimit.

Të gjitha këto teknologji mund të tingëllojnë si “sci-fi”, por vetëm kështu nuk është. Të gjithë ata që kanë udhëtuar me avionë gjatë periudhave të karantinës janë dëshmitarë në disa termometrave me infrared të vendosura në disa aeroport. Megjithatë, megjithëse termometrat ndihmojnë, vetëm ata nuk janë të mjaftueshëm, pasi njerëzit mund të kenë temperaturë edhe për arsye të tjera, apo të jenë bartës të koronavirusit pa simptomat e sëmundjes. Për të zbuluar infeksionet e reja, ose infeksionet asimptomatike nevojitet kontrolli për gjurmët e virusit në frymëmarrje.

Advertisement

Këtu hyn në lojë “frymëanalizuesi”. Ende nuk është parë nëpër aeroporte, metro, apo stacione të tjera të mbipopulluara, por ekziston në laboratorët fotonikë të Gabby Sarusi, profesor në Universitetin Ben-Gurion në Izrael. Kur shpërtheu pandemia dhe spitalet e kishin të vështirë për të realizuar shpejt dhe saktë testet, Sarusi e pa problemin në një këndvështrim tjetër. Si fizikant, ai nuk e pa koronavirusin si një agjent vdekjeprurës biologjik, por si një nano-pjesëz fizike, që mund të “nuhatej” e gjurmohej nga pajisje elektronike të specializuara. Si? Kur vendosen në mes të një fushe elektromagnetike, këto pjesëza shkaktojnë një “ndërhyrje” të caktuar që pasohet më pas me valë elektromagnetike, që mund të kapen.

Sarusi shpjegon se pajisja është testuar tek 150 pacientë dhe rezultoi me një saktësi në 92 për qind të rasteve. “Kjo është një shifër e lartë, duke patur parasysh se testime mjekësore të miratuara e zyrtare kanë një mesatare saktësie më të ulët se kjo shifër”, thotë ai.

Megjithatë, ekipi izraelit tregohet i përmbajtur, duke pasur parasysh se rezultatet e “frymëanalizuesit” mund t’u mohojnë njerëzve udhëtimin, ose më keq akoma, t’i mbyllë në karantinë, prandaj kërkojnë që ta përmirësojnë edhe më tej pasjisjen. “Sapo të të jetë gati, shpresojmë që të marrim miratimin nga autoritetet, sepse do të rigjallëronte industrinë e udhëtimit”, shpjegon më tej Sarusi.

Pritshmëritë e tij nuk shkojnë shumë larg në kohë. “Ndoshta në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm, gjithçka do të jetë gati”, thotë ai.

Advertisement

Mikro-gjilpërat e financuara nga Bill Gates

Sigurisht, zgjidhja ideale do të ishte zbulimi i një vaksine dhe ka disa pretendime se në 2021 kjo vaksinë do të jetë gati dhe më pas vendet mund të jenë të lira që të bllokojnë hyrjen e personave që më parë nuk dëshmojnë se janë të vaksinuar koronavirusi.

Udhëtarët do të paraqiteshin në pikat kufitare me një vizë hyrëse dhe një rekord vaksinimi, që mund të jetë një copë letre, ose një tatuazh i vogël në krah i dukshëm me sy të lirë dhe i skanueshëm nga skanerat me infra të kuqe. “Kjo teknologji ekziston ende dhe është testuar tek kafshët dhe njerëzit e vdekur”, thotë Ana Jaklenec, nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets.

Metoda e përdorur nga ky institut është ajo e injektimit me mikro-gjilpëra, vështirë të dukshme për syrin e lirë, por në gjendje që të injektojnë në organizëm si vaksinën, ashtu edhe të lënë një njollë me bojë nën lëkurën e pacientit, duke regjistruar kështu historikun e vaksinës.

Advertisement

“Mikro-gjilpërat nuk lënë shenja dhe janë më pak invazive se gjilpërat normale dhe njolla e lënë nën lëkurë mund të lexohet nga një skaner i thjeshtë, madje edhe nga një telefon i modifikuar”, sqaron Jaklenec.

Kjo teknologji është financuar nga Fondacioni “Bill dhe Melinda Gates” me objektiv që të ndihmojë qytetarët e vendeve në zhvillim, ku regjistrimet manuale me letër dhe elektronikë nuk janë fort të besueshme. Synimi është që kjo metodë të provohet së shpejti tek njerëzit, së bashku me një vaksinë kundër koronavirusit, por jo vetëm. Metoda mund të ndihmojë edhe në sektorë të tjerë, përfshirë këtu edhe ruajtjen e të dhënave për persona të caktuar dhe identifikimin automatik pas skanimit të tyre në pikat e emigracionit, ose hyrje-daljeve kufitare.

Dezinfektuesi i prodhuar nga plehrat

Pasi merr pasaportën vazhdon rrugën në drejtim të një punonjësi në aeroport, që në karusel ju ofron t’u spërkasë me një sanitarizues industrial. Ju e refuzoni me mirësjellje dhe në vend të kësaj nxjerr nga çanta një shishe sanitarizuesi “Veles”, që për nga aroma lehtësisht mund të ngatërrohet me parfumet…edhe ato më të shtrenjtat.

Advertisement

Zhvilluar nga Amanda Weeks, e rritur në Staten Island, pranë venddepozitimit famëkeq të mbetjeve njujorkeze, sanitarizuesi “Velez” është produkt i fermentimit të mbeturinave. “Njësoj si të prodhosh birrë”, thotë Weeks, që hapi në 2018 bio-rafinerinë e saj si pjesë e një projekti pilot, ku synimi kryesor ishte reduktimi i ushqimeve të flakura dhe efekteve serrë që shkaktonin në mjedis.

Aktualisht “Veles” përfshihet tek pastruesit shtëpiakë, pasi Weeks nuk e ka testuar nëse vret mikrobet dhe apo bakteret për shkak të shifrave të majme që kërkohen për këto testime, që janë edhe kriter i vendosur nga autoritetet për ta përfshirë në këtë listë.

“Skifteri” i viruseve dhe baktereve

Me aromën e këndshme të “Veles”, merr valixhet dhe largohesh, ndërkohë që avioni nga ku sapo ke zbritur është duke u dezinfektuar nga “GermFalcon”. Është një pajisje e konceptuar dhe ndërtuar nga at e bir, Arthur dhe Elliot Kreitenberg dhe përmes valëve ultravjollcë dezinfekton sipërfaqet, edhe më të vështirat për t’u arritur.

Advertisement

Ka tre lloje rrezesh ultravjollcë që prodhohen nga Dielli, UVA, UVB dhe UVC. Kjo e fundit është e dëmshme dhe ka aftësinë që të shkatërrojë ADN-në e viruseve, mikrobeve dhe baktereve. Fatmirësisht prej saj na mbron atmosfera e Tokës.

“GermFalcon” funksionon si një makineri ajrosëse, por që në vend të ajrit shpërndan rreze ultravjollcë shkatërrimtare për viruset dhe brenda pesë minuta mund të dezinfektojë hapësirën e brendshme të një avioni Boeing 737. Elliot Kreitenberg thotë se aktualisht pajisja është në testim dhe deri më tani është provuar se në 99 për qind të rasteve shkatërron koronavirusin. At e bir shpresojnë që në fund të vitit të jetë funksionale.

Me të marrë dritën jeshile, koncepti mund zgjerohet dhe të gjejë zbatim edhe në hapësira të tjera, publike e private.

Dezinfektuesi i telefonave

Advertisement

Nuk përbën më lajm se një prej magazinave më të mëdha të viruseve dhe baktereve e mbajnë gjithmonë me vete në xhep. Bëhet fjalë për telefonat, për të cilët Daniel Barnes dhe Wesley LaPorte kanë menduar ndërtimin e “Sapunit të telefonave”.

Në fakt, projekti ka nisur të realizohet që në 2009, kur të dy ata lexuan një studim, sipas të cilit telefonat celularë mbartnin më shumë viruse e baktere sesa banjot publike.

Dyshja nga Utah e SHBA kanë ndërtuar një mini-dezinfektues të vogël portativ brenda të cilit futet telefoni dhe më pas përmes rrezeve ultravjollcë pastron 99.9 për qind të viruseve dhe baktereve.

Të dy ata thonë se kërkesat për këtë pajisje janë rritur gradualisht ndër vite, por në mars të 2020, kur shpërtheu Covid-19 kërkesat pësuan një bum. “Tashmë është bërë më shumë nevojë, sesa luks”, thotë Barnes.(BBC, Gazeta “Si”)

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy