Inteligjenca Artificiale dhe detektimi i COVID-19

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Fakti se telefonat e mençur dinë jashtëzakonisht shumë për ne, nuk përbën asgjë të re. Dhe shumë njerëz prej kohësh kanë pranuar se pajisjet e tyre – apo më saktësisht provajderët që qëndrojnë prapa aplikacioneve që përdoren në to – mbase kanë mësuar shumë më tepër për ta sesa që përdoruesit në fakt e dinë, ka shkruar agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Welle”.

Shumë shpejt, sipas kësaj agjencie, mund të lansohet edhe një aplikacion i ri, i cili do t’u lejojë përdoruesve që ta diagnostikojnë infeksionin asimptomatik me koronavirus bazuar në tingullin e kollës apo të folurit të tyre.

“Ndonëse teknologjia e Inteligjencës Artificiale tashmë është dëshmuar të jetë në gjendje që të identifikojë kollitjet e individëve të infektuar, ajo prapëseprapë duhet të mësojë më shumë në mënyrë që të shmangë diagnostikimin e gabuar të personave të painfektuar. Në rast se korr sukses në këtë, atëherë aplikacioni në njëfarë pike mbështet aplikacionin ekzistues gjerman të gjurmimit të rasteve me koronavirus, me anë të gjurmëve të kontakteve me personat e infektuar”, ka shkruar DW-ja.

Tingujt e kollitjes përmbajnë biomarkerë

Advertisement

Tre ekspertë të shkencave kompjuterike nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT) kanë dalë me idenë e analizës së zërit për detektimin e infeksioneve.

Jordi Lugarta, Ferran Hueto dhe Brian Subriana kanë mbledhur xhirimet e zërit të më shumë se 5320 personave në periudhën kohore mes prillit dhe majit – si të pjesëmarrësve të infektuar me koronavirus ashtu edhe të atyre që nuk janë prekur nga ky virus.

Përveç tingujve të kollitjes, ata kanë analizuar edhe mënyrën e të folurit. Së pari, ekspertët kanë ngarkuar të dhënat e tingujve të 4256 pjesëmarrësve në një kompjuter, i cili i analizon ato me ndihmën e një rrjeti neutal konvolucionar, ka shkruar DW.

Me këtë veprim, ekspertët u janë vënë në kërkim biomarkerëve akustikë. Këta biomarkerë përmbajnë tipare të caktuara karakteristike në zë, të cilat ata veçse i kishin identifikuar në studimet e mëhershme të ndërmarra me pacientët e prekur nga sëmundja e Alzheimerit.

Advertisement

Ata më pas i kanë testuar ato që makinat kanë mësuar nga mostrat e 1064 pjesëmarrësve të tjerë të studimit.

Rezultate premtuese

Rezultatet e dala nga këto hulumtime kanë nxjerrë përfundime premtuese.

“Kur vërtetohen me anë të krahasimit me diagnostikimin e subjekteve nëpërmjet testimeve të zakonshme, ndjeshmëria e saktësisë për identifikimin e COVID-19 rezulton të jetë rreth 98.5 për qind”, kanë shkruar hulumtuesit në studimin e tyre, të dorëzuar në revistën “IEEE Open Journal of Engineering in Medicine and Biology” për publikim.

Advertisement

Specifika ndërkaq, sipas DW-së, ishte rreth 94.2 për qind në grup. Kjo do të thotë se çdo i 20-ti person që i nënshtrohet një testimi të tillë mund të marrë rezultat të rremë pozitiv.

“Për subjektet asimptomatike, saktësia është konstatuar të jetë 100 për qind, me një specifikim prej 93.2 për qind”, kanë shkruar autorët e studimit. Sidoqoftë, pothuajse një në çdo pesë pjesëmarrës ka marrë paralajmërim të paqenë të infektimit me koronavirus.

Me fjalë të tjera, specifika ka vend për përmirësime në mënyrë që një aplikacion i tillë të jetë përnjëmend funksional në praktikë. Në rast se përdoret nga një numër i madh i njerëzve për çdo ditë, atëherë edhe vetë numri i rezultateve të pasakta pozitive mund të shpjerë gjithashtu drejt vërshimit të laboratorëve testues për COVID-19 dhe shterimin e kapaciteteve të tyre.

Është e mundur, megjithatë, që vlerat e specifikave të përmirësohen edhe më shumë, në rast se kompjuterët pajisjen me më shumë të dhëna dhe mësojnë më shumë lidhur me tingujt e kollitjes me anë të teknologjisë së mësimit më të thellë.

Advertisement

Sido që të jetë, ekspertët kanë konstatuar se “teknologjitë e Inteligjencës Artificiale mund të prodhojnë një mjet pa pagesë, joinvaziv, në kohë reale, të çdo kohshme, të menjëhershme dhe të përmasave masive për detektimin e rasteve asimptomatike të COVID-19, në lehtësimin e frenimit të përhapjes së virusit”, ka shkruar “Deutsche Welle”.

Ekspertët e MIT-së kanë sugjeruar se një metodë e tillë mund të përdoret për testimin e nxënësve, studentëve, punëtorëve dhe nëpunësve në zyra të shërbimeve publike dhe atë në bazë ditore. Në rast të paralajmërimit për rezultat pozitiv, personat që testohen nëpërmjet kësaj metode prapëseprapë mund të zgjedhin testimin labaratorik për të konfirmuar saktësinë e të dhënave nga aplikacioni.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy