Koronavirusi shpeshtoi sulmet kibernetike

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Britani të Madhe është përballur me 194 sulme kibernetike të ndërlidhura me koronavirusin. Këto sulme janë organizuar nga shtete armiqësore dhe grupe kriminale, të cilat përbëjnë numrin më të lartë të sulmeve kibernetike të të gjitha kohëve. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 723 sulme kibernetike. Njësiti i inteligjencës ka thënë se teksa Rusia dhe shtetet e tjera si Kina – kanë pasur cak qendrat kërkimore të vaksinave në Britani, ishin grupet kriminale që vazhdimisht kanë pasur cak sektorë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, kryesisht me mashtrime online. Metodat e vazhdueshme të grupeve kriminale ishte vjedhja përmes emailave që kanë për cak individë të caktuar që me një klik mund të përvetësojë informacione të ndjeshme të viktimës. “Mashtruesit po përdorin si temë Covidin. Kanë dërguar artikuj të lameve nga mediat e njohura që viktimat të bien pre duke klikuar në linqet e rrezikshme”, ka paralajmëruar Paul Chichester, drejtor i operacioneve, shkruan “The Guardian”.

Ndërlidhja me hakerët nga Kina

Zyrtari i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike ka thënë se kërkuesit britanikç ishin cak i sulmeve në nivel kombëtar, ani pse me emër ka përmendur vetëm Rusinë. Shteti rus gjatë tërë verës ishte akuzuar se ka tentuar të përvetësojë sekrete të vaksinës. Hakerët me lidhje në Pekin besohet se janë të përfshirë në planin për vjedhjen e punës së shkencëtarëve perëndimor, ani pse Chichester ka thënë se vendimi më i madh ishte të akuzohej një shtet dhe se vendimi i duhur u mor ndaj sulmeve të Rusisë. Grupet kriminale kanë postuar materiale të dyshimta, duke u prezantuar si furnizues të pajisjeve mbrojtëse ndaj virusit. Ata kanë ofruar pajisje mbrojtëse sektorëve të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, me shpresën se blerësi do të ofrojë para për një kompani që nuk ekzistonte. Pas një pune të gjatë janë eliminuar 2.3 milionë emaila dhe 22 mijë faqe të internetit janë bllokuar. Kërcënimi nga pandemia do të thotë se NHS-ja (Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Britani të Madhe) u zu ngushtë duke bërë marrëveshje të papritura, përfshirë supermarketet që me rrjetin e furnizimit ishin identifikuar si pjesë e rëndësishme e infrastrukturës kombëtare kur shpërtheu kriza pandemike në pranverë.

Bllokimi i sistemeve

Advertisement

Duke bërë bashkë kërcënimin e shteteve të huaja dhe hakerët kriminalë, do të thotë se NHS-ja u përball me 10 për qind të sulmeve deri më 31 gusht. Totali i këtyre sulmeve është 723, niveli më i lartë i krimit që prej formimit të organizatës në vitin 2016. Janë më shumë se 1 mijë e 200 viktima, gati një e treta. Kanë reflektuar në faktin se cak i sulmeve ishin dhjetëra sektorë. 

“Pjesa e dytë e vitit u dominua nga Covidi”, ka thënë Lindy Cameron, shefe ekzekutive e NCSC-së. Organizatat e sektorit privat dhe atij publik e kanë ftuar NCSC-në që të përballet me sulmet e rrezikshme kibernetike dhe në një krizë të tillë, një ekip i sulmeve kibernetike mund të angazhohet së bashku me departamentin e IT-së për t’u përballur me problemin. Sulmet me ransomware, në të cilat hakerët bllokojnë sistemin e IT-së ose vjedhin të dhëna të rëndësishme dhe kërkojnë para të majme për kthimin e këtyre të dhënave. Sipas vlerësimeve, taktikat e kriminelëve kanë ndryshuar. “Përveç se pamundësojnë qasjen në të dhëna, kriminelët po i vjedhin ato dhe më pas kërcënojnë me shpërndarjen e tyre në publik”, thuhet në raportin vjetor të NCSC-së. Me këtë raport është vënë në pah se sulmet “hako dhe publiko” janë përdorur nga rusët si taktikë për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Cak ishin emailet e partisë demokrate. Cak i sulmeve ishte edhe një klub elitë i futbollit anglez që pësoi sulme të ashpra në sistemin e sigurisë që bllokoi kamerat e sigurisë, dhe shkak i këtij sulmi klubi gati sa nuk kishte anuluar një ndeshje futbollistike.

Sulmet e mëhershme ruse

Në fillim të qershorit ishte Rusia ajo që kishte sponsoruar hakerët për të marrë në shënjestër organizata në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada që ishin të përfshira në zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit. Qendra Kombëtare britanike e Sigurisë Kibernetike (NCSC) ka njoftuar se kompanitë e ilaçeve dhe grupet kërkimore ishin vënë në shënjestër të një grupi të njohur si APT29, i cili “pothuajse sigurt” ishte pjesë e shërbimeve të Inteligjencës së Kremlinit. Zyrtarët britanikë asokohe nuk kanë thënë nëse ndonjëri prej këtyre sulmeve kishte korrur sukses në qëllimin për të vjedhur sekrete mjekësore. Ata kanë bërë të ditur, megjithatë, se asnjëri prej kërkimeve për vaksinë nuk ishte komprometuar si pasojë e sulmeve. Britania është një prej shteteve prijëse në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine, me ç’rast shkencëtarët e saj nga Universiteti i Oxfordit dhe Kolegji Mbretëror londinez janë duke u prirë këtyre përpjekjeve në shkallë globi. Sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab, kishte thënë asokohe se vënia në shënjestër e kërkimeve lidhur me pandeminë COVID-19 nga ana e shërbimeve ruse të Inteligjencës është gjë “tërësisht e papranueshme”. “Derisa të tjerët i ndjekin interesat e tyre vetjake me sjellje të pamatura, Britania e Madhe dhe aleatët po merren me punën e vështirë të gjetjes së një vaksine dhe mbrojtjes së shëndetit global. Britania do të vazhdojë t’i luftojë të gjithë ata që ndërmarrin sulme të tilla kibernetike dhe të bashkëpunojë me aleatët për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë kryerësit”, ka thënë Raab. Ministria e Jashtme ruse i kishte adresuar thirrje Qeverisë në Londër që të ofrojë dëshmi për t’i vërtetuar akuzat. “Kjo deklaratë është aq e vrazhdë dhe kontradiktore, saqë është faktikisht e pamundur që të kapërdihet”, kishte thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova. Hakerët rusë të mbështetur nga shteti ishin akuzuar edhe më herët për tentimet që të ndërhyjnë në kompjuterë të përdorur nga agjencitë sportive antidoping dhe të një laboratori suedez të kemikateve të ndaluara, ku ishin analizuar mostrat e agjentit nervor Novichok nga sulmi në Salisbury të Anglisë. Grupi APT29 ka qenë aktiv tash e sa vjet dhe mes komunitetit të hakerëve njihet si “Dukes” apo “Cozy Bear”. Po ky grup ka qenë i lidhur me sulmet ndaj Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Andrei Soldatov, gazetar hulumtues rus dhe ekspert i shërbimeve të sigurisë, ka thënë se zhvillimi i vaksinës kundër koronavirusit është shfaqur si një cak i dukshëm i shërbimeve të Inteligjencës, përfshirë atyre të Rusisë dhe Kinës, të cilat i shohin kërkimet rreth origjinës së virusit dhe kurave potenciale të saj si një fushë të konkurrencës gjeopolitike. “Koronavirusi, krejt papritur, është shndërruar në një faktor të madh politik që ndikon tek gjithsecili në secilën mënyrë të mundshme. Andaj ekziston joshja për shfrytëzimin e kësaj mundësie”, ka thënë ai. “Krejt lehtësisht mund të gjeni njëfarë justifikimi politik pse ta bëni këtë gjë tani. Është kjo një çështje tejet e politizuar tani. Ndërlidhet me atë se çfarë lloj apo cilin shtet duhet fajësuar”. 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy