Singapori po mbështetet në teknologjinë e përcjelljes së kontakteve në luftën anti-Covid

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Disa pajisje që mbahen me vete janë të fundit që i janë shtuar përpjekjeve për përcjelljen e kontakteve të rasteve me COVID-19 në Singapor.

E tëra që përdoruesit duhet të bëjnë, është të mbajnë pajisjen “Trace Together Tokens” me vete, në xhep apo çantë. Bateria i zgjat deri në nëntë muaj dhe funksionon përmes valëve dhe ruan të dhënat për kontaktet deri në 25 ditë. Agjencia e qeverisë së Singaporit e cila i krijoi këto pajisje thotë se “Tokenet”, dhe teknologjia në përgjithësi, nuk janë “shkopinj magjikë”, por ndihmojnë në përpjekjet për të gjurmuar kontaktet.

Të parët që do të marrin këto pajisje janë me mijëra të moshuar e të tjerë me probleme shëndetësore të cilët nuk posedojnë një telefon të mençur, raporton BBC.

Nëse mbajtësit e kësaj pajisjeje testojnë pozitivë për sëmundjen, duhet ta kthejnë te Ministria e Shëndetësisë, e pastaj gjurmuesit e kontakteve do të përdorin pajisjen për të identifikuar dhe këshilluar të gjithë ata që mund të jenë infektuar nga ai person.

Advertisement

Sean Cross, i cili ka krijuar harduerin, tha se pajisja mund të ‘tregojë’ me kënd keni qenë, kënd e keni infektuar, dhe kush ju ka infektuar juve.

Singapori ishte shteti i parë që kishte zhvilluar një aplikacion për parandalimin e koronavirusit. Autoritetet lokale thonë se 2.1 milionë njerëz e kanë shkarkuar softuerin, që përfaqëson afro 35% të popullatës, transmeton KOHA. Qeveria ka thënë se ky aplikacion ka ndihmuar në izolimin e disa njerëzve më shpejt se që do të ishte e mundur vetëm me forca njerëzore. Por sidoqoftë, kjo teknologji nuk ka punuar aq mirë sa që është pritur. Disa njerëz e kanë fshirë aplikacionin sepse ua shterte baterinë e telefonave. Gjithashtu, ka pasur shumë brenga rreth privatësisë. Kur “Token” u lajmërua në fillim të qershorit, shumë njerëz publikisht e kundërshtuan qeverinë, diçka që ndodh shumë rrallë në Singapor. Sidoqoftë, nëse këto pajisje funksionojnë ashtu siç shpresohet, edhe shtetet tjera pritet të fillojnë të interesohen për një program të tillë.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Singapor deri tash janë regjistruar 44800 të infektuar e 26 të vdekur.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy