“WhatsApp”, me mundësinë e shlyerjes së mesazheve pas shtatë ditësh

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Drejtuesit e aplikacionit të komunikimeve “WhatsApp” kanë paralajmëruar se do të paraqesin së shpejti mundësinë e “zhdukjes së mesazheve”, me anë të së cilës do të fshihen bisedat nga telefoni i dërguesit dhe i marrësit, pas një periudhe kohore prej shtatë ditësh.

Ky opsion i ri në aplikacion, i cili është në pronësinë e Facebook-ut dhe që ka më shumë se dy miliardë përdorues nëpër gjithë botën, sipas drejtuesve, do të ndikojë që mesazhet të mbahen private. Por drejtuesit kanë bërë të ditur se pranuesit e mesazheve megjithëkëtë do të mund t’i fotografojnë ekranet e përmbajtjes dhe t’i dërgojnë tek ndonjë përdorues tjetër, fotografitë apo videot që duan t’i ruajnë.

Kjo mundësi do të jetë e qasshme për përdoruesit e “WhatsAppit” në fund të nëntorit.

Në një deklaratë kompania ka bërë të ditur se përdoruesit mund të vendosin që mesazhet e tyre të zhduken pas shtatë ditësh, gjë që ndikon që njerëzit “të jenë më rehat, pasi që bisedat e tyre nuk do të jenë të përhershme, përderisa mundësia është praktike ashtu që nuk harroni se çfarë bisede keni zhvilluar”.

Advertisement

Në prill të 2019-s shefi ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg, është zotuar se do të bëjë disa ndryshime në rrjetin social, në mënyrë që përdoruesit të kenë më shumë privatësi.

Një nga ndryshimet e propozuara ka qenë ofrimi i mënyrave “më jetëshkurtëra” për të shpërndarë përmbajtjet, përfshirë këtu edhe zhdukjen e mesazheve.

Kompania shpreson gjithashtu që t’i integrojë edhe platformat e tjera sociale në këtë opsion, duke i bërë WhatsAppin, Instagramin dhe Facebook Messengerin më ndërveprues.

Aplikacioni tjetër rival, Snapchat, që ka qenë frymëzim për një sërë karakteristikash të Facebookut, është ndërtuar mbi parimin e zhdukjes së mesazheve.

Advertisement

“Duke ua rikujtuar se kjo ka ndodhur kaq vonë te aplikacioni WhatsApp, për arsyeje se edhe karakteristika e zhdukjes së mesazheve është publikuar në vitin 2017, jetëshkurtësia është e madhe dhe këtu po bëhet fjalë për Facebookun”, ka shkruar Ingrid Lunden, gazetare e “Tech Crunch”, në rrjetin social Twitter.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy