Glerdit Turmetaj, me këngën “Ta dish”, një krijim me tekst dhe muzikë të Leon Lekaj dhe orkestrim të Ilirian Zogës u shpall fitues i ediconit të dhjetë jubile të festivalit “Luleborë” në Shkodër.
Kënga e krijuar pas një shkëputje 38 vjecare të muzikantit Lekaj, u veçua për finesën melodike, emocionin e brendshëm dhe interpretimin plot ndjeshmëri, duke fituar zemrat e publikut dhe vlerësimin e jurisë profesioniste.
Për dy netë me radhë skena e teatrit “Migjeni” u kthye në një festë të bukur muzikore, ku u ngjitën 16 krijime të reja artistike, si dhe emra që ndër vite kanë ruajtur e kultivuar këngën qytetare.
Një tjetër element që i dha këtij edicioni një shkëlqim të veçantë ishte drejtimi artistik i sopranos me famë botërore Inva Mula dhe mjeshtrit të madh Zef Çoba.
Çmimi i dytë i festivalit shkoi për Laorjan Ejlli me këngën “Shkodër Loce” dhe çmimi i tretë për Martina Serreqi me këngën “Në rrugicat e Shkodrës”.
Kjo larmi krijimesh e shndërroi festivalin në një mozaik emocionesh, ku muzika e re takoi traditën, dhe ku çdo këngë u bë një dëshmi e përkushtimit ndaj artit, gjuhës dhe identitetit shqiptar./vizionplus.tv
