Bosi turk i kriptomonedhave “Thodex”, Faruk Fatih Özer, është gjetur i vdekur ditën e sotme në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë. Lajmi është konfirmuar nga transmetuesi shtetëror TRT.
Dyshohet se Özer mund të ketë kryer vetëvrasje në qeli. Kujtojmë se ai ishte dënuar nga gjykata turke në vitin 2023 me 11 mijë e 196 vite burg.
I lindur në vitin 1994, Özer themeloi platformën e tregtimit të kriptomonedhave Thodex në vitin 2017. Megjithatë, në prill të vitit 2021, platforma u mbyll papritur, duke shkaktuar panik dhe humbje të mëdha te investitorët.
Pas mbylljes së bursës, Özer u arratis në Shqipëri, ku u arrestua disa muaj më vonë në Durrës, pas një kërkimi ndërkombëtar.
Në vitin 2022, gjykata shqiptare vendosi ekstradimin e tij në Turqi, ku më pas u dënua me burgim ekstremisht të gjatë, së bashku me disa prej bashkëpunëtorëve të tij.
