Mes tymit dhe gazit u zgjuan mëngjesin e sotëm banorët e Gazës për shkak të sulmeve izraelite nga toka dhe ajri.
Por një lajm i mirë erdhi në mes të kësaj situate të tmerrshme: pika kufitare Rafah pritet të hapet për herë të parë në mënyrë që një numër i vogël i palestinezëve të mund të dërgohen në Egjipt për të marrë trajtim mjekësor.
Po ashtu së bashku me ta pritet të largohen dhe shtetasit e huaj, të cilët ndodhen të bllokuar në mes të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Dyndje qytetaresh shihen në kufi, me shpresën se porta e shpëtimit do të hapet edhe për ta.
Nga ana tjetër bombardimet izraelite vijojnë të rrafshojnë ndërtesat e banimit, ndërsa 50 palestinezë janë arrestuar në Bregun Perëndimor gjatë natës.
Shërbimi i telefonisë dhe internetit është ndërprerë sërish në Rripin e Gazës, ndërsa kjo është hera e dytë në 5 ditë që banorët mbeten pa kontakt me botën jashtë. Agjencitë e ndihmave humanitare kanë deklaruar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve pengojnë punën e tyre.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë deklaruar se kanë forcuar zonën e Detit të Kuq me raketa të marinës, pas disa sulmeve me dronë nga grupet Huthi të mbështetur nga Irani, në Jemen.
Deri më tani ushtria izraelite bën me dije se ka goditur më shumë se 11.000 objektiva në Gaza, që i përkasin Hamasit dhe xhihadit islamik.
Izraeli është kritikuar gjerësisht për bombardimet e vazhdueshme në spitale, shkolla dhe ndërtesat e banimit, duke çuar në vdekjen e më shumë se 8500 civileve, ku thuajse gjysma e tyre janë fëmijë.