Në Gjermani janë tejkaluar shtatë milionë raste me koronavirus. Kjo është ajo që del nga të dhënat e publikuara nga Instituti Robert Koch.
Në 24 orët e fundit, vendi ka zyrtarizuar 13,908 infeksione të reja, duke e çuar totalin e rasteve të konfirmuara me Covid-19 në 7,005,289.
Sipas ekspertëve, vendi po e paguan izolimin “të dedikuar” vetëm për personat e pavaksinuar. Vetëm pak ditë më parë, Gjermania kishte mbi 50 mijë infeksione në ditë.
Shtrëngimi i masave nga Gjermania kundër pandemisë, ka dhënë rezultatet e para, edhe pse fryma e lehtësimit është vetëm e përkohshme: në ditët në vijim, pritet të ndihet efekti mbi numrin e të prekurve me “Omicron”, variantit shumë ngjitës të Sars-Cov-2 që tashmë “është i pranishëm në të gjitha Landet”, shtetet federale, siç është vërtetuar nga Instituti Robert Koch.
Ekspertët, nënvizojnë rënien e incidencës javore në javët e fundit, e cila shkoi nga 340.7 për 100,000 banorë muajin e kaluar, në 315.4 një javë më parë.
Bllokimi i pjesshëm për të pavaksinuarit i vendosur në fillim të muajit (ndalimi i hyrjes në dyqanet që nuk shesin gjërat e nevojshme për ata që nuk janë të vaksinuar ose të paktën të kuruar), duket se po jep rezultat.
Rënia e infektimeve për personat “no vax” është vërejtur jo vetëm në Gjermani, por edhe në Austri, e cila së shpejti do të tregojë shumë pak tolerancë ndaj atyre që janë “armiqësorë” ndaj vaksinës.
Në fakt, Vjena nis një tjetër eksperiment të paprecedentë në shkurt, kur do të hyjë në fuqi vaksinimi i detyrueshëm. Ata që do t’i bëjnë rezistencë këtij vendimi, do të duhet të përgatiten të paguajnë 4,800 euro për refuzimin e imunizimit.
