Polonia njoftoi se avionët e saj luftarakë kishin interceptuar një tjetër aeroplan zbulues rus mbi Detin Baltik, për herë të tretë këtë javë.
Avioni nuk shkeli hapësirën ajrore polake, tha Komanda Operacionale e ushtrisë polake, por ashtu si në incidentet e mëparshme, nuk kishte paraqitur një plan fluturimi dhe transponderët e saj ishin jashtë funksionit.
“Ky është tashmë rasti i tretë i tillë këtë javë, duke konfirmuar aktivitetin në rritje të aviacionit rus në rajonin e Baltikut”, tha ushtria.
Vendet në krahun lindor të NATO -s kanë qenë në gatishmëri të lartë për shkelje të mundshme të hapësirës ajrore që nga shtatori, kur tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ditë pasi më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake.
