Trazira të mëdha kanë përfshirë median britanike BBC, pasi në një dokumentar të transmetuar në tetor 2024, ishte përdorur një montazh i manipuluar i një fjalimi të presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas një raporti të ish-këshilltarit të pavarur të Komitetit për Standardet dhe Udhëzimet Editoriale të BBC-së, Michael Prescott, në dokumentar ishin bashkuar pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump-it të 6 janarit 2021, duke krijuar përshtypjen sikur ai nxiste drejtpërdrejt sulmin ndaj Kapitolit.
Në versionin e transmetuar nga BBC, Trump dëgjohej të thoshte:
“Do të zbresim në Kapitol dhe do të jem atje me ju, do të luftojmë. Do të luftojmë me të gjitha forcat tona.”
Në fakt, këto fjalë ishin marrë nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit, të ndara nga një distancë prej gati një ore. Në fjalimin origjinal, Trump kishte thënë gjithashtu:
“Do të zbresim paqësisht dhe patriotikisht për t’u bërë zëri juaj i dëgjuar.”
Raporti gjithashtu zbuloi se pamjet e protestuesve, që në dokumentar shfaqeshin sikur ishin frymëzuar nga fjalimi i Trump, ishin filmuar përpara se ai të fliste.
Në një letër të shoqëruar me raportin, Prescott akuzoi menaxhmentin e BBC-së për “mungesë veprimi dhe transparence”, duke thënë se kishte vepruar nga “dëshpërimi për pasivitetin e drejtuesve të lartë”.
Pas publikimit të hetimit, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha ekzekutive e lajmeve, Deborah Turness, kanë dhënë dorëheqjen. Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe ka hapur diskutime të reja mbi paanshmërinë dhe besueshmërinë e BBC-së.
/vizionplus.tv
