Franca do t’i dorëzojë Ukrainës deri në 100 avionë luftarakë Rafale gjatë 10 viteve të ardhshme, deklaroi presidenti Emmanuel Macron, pas takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Marrëveshja mes dy vendeve aleate vjen në një kohë ku agresioni rus vetëm shtohet dhe qëllimi i Kievit është forcimi i sigurisë së vendit.
Gjatë një konference për shtyp, me në krah presidentin Zelensky, Macron deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë t’i ofrojë Ukrainës “mbështetje të qëndrueshme financiare në planin afatgjatë”, si një mesazh ndaj Rusisë.
“Po hyjmë në një fazë të re. Me këtë marrëveshje, ne vazhdojmë të mbështetemi në afrimin dhe integrimin e industrive tona të mbrojtjes në mënyrë që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, për dekurajimin kundër agresionit. Dhe ne po e bëjmë këtë në planin afatgjatë, duke deklaruar gjithashtu se aftësia për të rigjeneruar ushtrinë ukrainase është një element kritik për sigurinë e të gjithëve ne”, tha Macron.
Nga ana tjetër, presidenti Zelensky shprehu mirënjohje për mbështetjen e Francës, po ashtu theksoi se kjo marrëveshje do të forcojë ndjeshëm mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus.
“Ukraina do të jetë në gjendje të marrë 100 avionë Rafale F-4, radarë francezë shumë të fuqishëm, tetë sisteme mbrojtjeje ajrore SAMP/T – nga gjashtë lëshues secila. Epo, këto janë detaje, ndoshta detaje teknike për dikë, por për ne janë të rëndësishme. Çdo lëshues, e gjithë kjo është mbrojtja e çdo jete, kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Zelensky.
Bazuar në mediat franceze, është e paqartë se si do të financohet marrëveshja e arritur. Qëllimi i vendeve aleate të Ukrainës është forcimi i mbrojtjes ushtarake të saj, pasi Rusia po përparon gjithmonë e më tej duke shkaktuar dhjetëra viktima.
