Një shtetase shqiptare, nënë e tre fëmijëve, është bërë gruaja e parë që ekstradohet nga Britania në Shqipëri ku do të përballet me burgim.
Prokurorët shqiptarë kanë kërkuar ekstradimin e Lirie Delishit për të vuajtur një dënim me katër muaj burg, pasi ajo u kap duke përdorur një pasaportë të falsifikuar rumune ndërsa përpiqej të fluturonte nga Tirana për në Romë në vitin 2019.
Ajo ishte shtatzënë me fëmijën e saj të tretë kur apeloi kundër vendimit për ekstradim.
Ajo tha se do të ishte “e tmerrshme” që dy fëmijët e saj më të mëdhenj të ndaheshin nga ajo dhe foshnja e vogël.
Delishi tha se partneri i saj, i quajtur Edmond, ndoshta do të humbasë muajt e parë të jetës së fëmijës së tyre të tretë.
“Do të jetë shumë e vështirë për mua të jem pa të gjatë atyre muajve të rëndësishëm dhe do të më mungojnë shumë fëmijët e mi të tjerë”, tha ajo.
“E di që Edmondi do të duhet të heqë dorë nga orët e tij në punë, ose ndoshta edhe të mbyllë një nga bizneset për t’u përqendruar te fëmijët. Kjo mund të nënkuptojë që duhet ta shesim shtëpinë. Mundohem të mos mendoj për ekstradimin për shkak të ndikimit që do të ketë në familjen time.”
Partneri i saj paraqiti prova se drejtonte dy biznese në Mbretërinë e Bashkuar, njëra një kompani ndërtimi me një punonjës tjetër dhe një larje makinash ku punësoheshin vëllai i tij dhe dy burra të tjerë.
“Mendoj se do të më duhej të mbyllja të paktën njërin. Kjo mund të nënkuptojë që disa të mbeten pa punë”, i tha ai gjykatës.
Megjithatë, gjyqtari Zani e hodhi poshtë apelin, duke thënë: “Është shumë e rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar të shihet duke përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare të ekstradimit.”/vizionplus.tv