Mijëra emigrantë janë përpjekur të kalojnë kufirin midis Marokut dhe territorit spanjoll të Ceuta ditëve të fundit, duke përfshirë qindra të rinj që u përpoqën të notonin, njoftuan sot autoritetet spanjolle.
Përfaqësuesja e qeverisë spanjolle në Ceuta, Cristina Perez, tha sot se që nga 22 gushti mesatarisht 700 persona kanë tentuar të kalojnë kufirin në ditë dhe më së shumti tentativa kanë qenë të dielën – deri në 1500.
Perez nuk tregoi se sa prej tyre arritën me sukses në Ceuta, por ajo shpjegoi se sipas ligjit spanjoll, autoritetet po kthenin nga 150 deri në 200 njerëz në ditë në Marok. Ajo falënderoi autoritetet marokene për bashkëpunimin e tyre.
Autoritetet në Ceuta thonë se janë nën presionin e migrimit të paligjshëm sërish këtë vit. Nga janari deri në mes të gushtit, 1,622 emigrantë u regjistruan në Ceuta, krahasuar me vetëm 620 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas statistikave të publikuara nga ministria e brendshme e Spanjës.
Ndërsa numri i emigrantëve që arritën në Ceuta përfaqësonte vetëm një pjesë të vogël të më shumë se 31,000 mbërritjeve të parregullta në Spanjë këtë vit, Perez tha se territori prej 18.5 kilometrash katrorë ishte nën “presion ekstrem migrator”.
Ceuta dhe Melilla, dy territore të vogla spanjolle në Afrikën e Veriut, kanë qenë prej kohësh në shënjestër të emigrantëve që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë. Shumë përpiqen të ngjiten mbi gardhet me tela me gjemba që rrethojnë qytetet autonome ose të arrijnë nga deti. /vizioinplus.tv