Raketat ruse goditën dy ndërtesa banimi në qytetin perëndimor ukrainas të Ternopilit, duke vrarë të paktën 25 persona, përfshirë tre fëmijë, teksa Rusia kreu sulme me dronë dhe raketa gjatë natës që lanë të plagosur dhjetëra persona në mbarë Ukrainën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i quajti valën e sulmeve “një sulm ndaj jetës së përditshme”.
Mediat ukrainase raportuan se shpërthime u dëgjuan në orët e para të 19 nëntorit në rajonet e Ternopilit, Kmelnitskijt, Ivano-Frankivskit, Rivnes, Lvivit dhe Dnipropetrovskut, teksa sulmet shënjestruan lindjen dhe perëndimin e Ukrainës.
Shërbimet e Emergjencës së Ukrainës njoftuan se dy ndërtesa të larta banimi u goditën në qytetin e Ternopilit, duke lënë të paktën 25 të vdekur, tre prej të cilëve fëmijë. Më shumë se 92 persona u plagosën nga sulmi, përfshirë 18 fëmijë.
Një zyrtar ushtarak tha se njëra nga ndërtesat mund të jetë goditur nga një raketë lundruese e lëshuar nga ajri.
“Çdo sulm kundër jetës së përditshme dëshmon se presioni ndaj Rusisë ende është i pamjaftueshëm”, tha Zelensky në një postim në X.
“Sanksionet efektive dhe ndihma për Ukrainën mund ta ndryshojnë këtë. Prioriteti kryesor është mbrojtja ajrore, raketat mbrojtëse, sisteme shtesë, kapacitete të zgjeruara për aviacionin tonë luftarak dhe prodhimi i dronëve për të mbrojtur jetë. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj dhe ne duhet të jemi të përqendruar në gjithçka që na forcon dhe na mundëson të rrëzojmë raketat ruse, të neutralizojmë dronët rusë dhe të ndalim sulmet”.
Kryetari i qytetit të Lvivit në Ukrainën perëndimore, Andriy Sadovy, u bëri thirrje banorëve të strehohen duke paralajmëruar përmes një postimi në Telegram se “armiku po sulmon Ukrainën perëndimore me dronë. Mos e injoroni alarmet për sulme!”.
Ministria e Energjisë së Ukrainës tha se sulmet shkaktuan ndërprerje të menjëhershme të energjisë elektrike në disa rajone, duke shtuar se ekipet e mirëmbajtjes po punojnë për të rikthyer furnizimin aty ku munden.
Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve energjetike të Ukrainës teksa po afrohen muajt e dimrit, duke shkaktuar frikë për mungesa të energjisë elektrike teksa pritet që temperaturat të bien.
Moska ka goditur rregullisht zona civile në Ukrainë, megjithëse ajo mohon se shënjestron caqe të tilla. /REL
