Autori i masakrës me 18 të vdekur dhe 13 të plagosur në shtetin Maine në SHBA vijon të jetë i lirë më shumë se 24 orë pas ngjarjes.
Policia po vijon kontrollet intensive në të gjithë rajonin, ndërsa banorët e qytetit Ljuiston janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre, larg dritareve.
Shkollat, bizneset dhe ambiente të tjera vijojnë të jenë të mbyllura për shkaqe sigurie.
Autori i dyshuar 40-vjeçari Robert Card është i armatosur dhe shumë i rrezikshëm.
Kapjen e tij e bën edhe më të vështirë fakti që rezervisti e njeh shumë mirë zonën, si dhe ka aftësitë te spikatura ushtarake.
Disa ekspertë të tjerë thonë se 40-vjeçari kishte planifikuar në detaje të gjithë ngjarjen dhe arratisjen e tij.
Sulmi i armatosur ndodhi një ditë më parë, kur autori hapi zjarr në disa ambiente publike: në një restorant dhe në një ambient ku luhej bouling.
Nuk dihet ende motivi i vrasjeve masive, ndërkohë që më herët rezervisti i ushtrisë kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor.