NATO është shkaku i krizës në Ukrainë, thotë ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB, Pino Arlacchi. Në një intervistë për Televizionin Shtetëror Kinez, Arlacchi thotë se zgjerimi i NATO-s pa fund në lindje ka sjellë si rezultat këtë përplasje të armatosur.
“Shkaku kryesor i krizës në Ukrainë është zgjerimi i pafundmë i NATO-s, çka ka bërë që Rusia të mendojë se po kërcënohet dhe të reagojë. E kam thënë që ky është një problem që vijon prej 20 vitesh. Bashkimit Sovjetik iu sigurua që NATO nuk do të zgjerohej në lindje, por zgjerimi vijoi. Shtetet e reja të anëtarësuara në NATO ndajnë kufi me Rusinë dhe Rusia nuk po e toleron më këtë”, tha ai.
Ish-zv.sekretari i përgjithshëm i OKB thotë se sanksionet e vendosura nga shtetet perëndimore do të dëmtojnë më shumë ato sesa Rusinë, për shkak se ai është një vend me nivel shumë të ulët të borxhit të jashtëm, dhe eksportues i madh. “Mendoj se zgjidhja për këtë situatë është e thjeshtë. E kanë në dorë vetë shtetet europiane. NATO duhet të deklarojë se Ukraina nuk do të anëtarësohet. Nëse e hedhin këtë ide në letër dhe nënshkruajnë një traktat ndërkombëtar, situata zgjidhet”, tha Arlacchi.
Lufta në Ukrainë, çfarë duhet të dini
Pas një fundjave të mbushur me luftime, Rusia nuk ka arritur dot të marrë kontrollin e Kievit.
Sot është parashikuar një takim mes delegacioneve të të dy shteteve, në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë.
Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se 24 orët e ardhshme, dita e pestë e pushtimit rus, do të jenë kyç për ecurinë e luftës.
Një ditë më parë, Presidenti Vladimir Putin urdhëroi kalimin në gatishmëri të lartë të armatimeve bërthamore të Rusisë.
Shërbimet inteligjente ukrainase thonë se Bjellorusia po përgatitet të dërgojë trupat e saj krah atyre ruse.
Bashkimi Europian ka ndërmarrë hapin e paprecedentë dhe ka vendosur të dërgojë armë në Ukrainë, si dhe ka mbyllur hapësirën e vet ajrore për Rusinë.