Një rrjedhje masive nga një prej bankave private më të mëdha në botë, “Credit Suisse”, ka ekspozuar pasuritë e fshehta të klientëve të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda. Detajet mbi llogaritë e 30 mijë klientëve të “Credit Suisse” në të gjithë botën gjenden në rrjedhjet, të cilat demaskojnë përfituesit e më shumë se 100 miliardë frangave zvicerane, të mbajtura në një nga institucionet financiare më të njohura të Zvicrës.
Rrjedhja tregon mbi dështimet e “Credit Suisse”, pavarësisht nga premtimet e përsëritura gjatë dekadave për heqjen e klientëve të dyshimtë dhe fondeve të paligjshme. “The Guardian” është pjesë e një konsorciumi të organeve mediatike që kanë akses ekskluziv në të dhënat.Sipas medias britanike mund të zbulohet se si “Credit Suisse”, në mënyrë të përsëritur, ka hapur ose mbajtur llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.
Ato përfshijnë një trafikant qeniesh njerëzore në Filipine , një bos të bursës së Hong Kongut të burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës së tij, yllit të Pop-it libanez dhe drejtuesit që plaçkitën kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë. Sipas të dhënave, një llogari në pronësi të Vatikanit u përdor për të shpenzuar 350 milionë euro në një investim pronësie në Londër që dyshohet të jetë mashtrim. Tanimë çështja është në qendër të një gjyqi penal në proces, ku ka disa dëshmitarë duke përfshirë një kardinal.
Rasti i bujshëm i rrjedhjes së dhënave bankare u zbulua nga një spiun anonim në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung. “Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale”, tha burimi në një deklaratë. “Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të atyre që bëjnë evazion fiskal.”
“Credit Suisse” tha se ligji i rreptë zviceran i sekretit bankar e pengoi atë të komentonte mbi pretendimet në lidhje me klientët individualë. “Credit Suisse kundërshton me forcë pretendimet dhe konkluzionet në lidhje me praktikat e supozuara të biznesit të bankës,” tha banka në një deklaratë, duke argumentuar se çështjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të nxjerra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze të veprimtarisë së bankës.” Banka tha gjithashtu se akuzat ishin të vjetëruara, ku në disa raste që datonin në një kohë kur “ligjet, praktikat dhe pritshmëritë e institucioneve financiare ishin shumë të ndryshme nga sot”.
Ndërsa disa llogari në të dhënat ishin të hapura që në vitet 1940, më shumë se dy të tretat u hapën që nga viti 2000. Shumë prej tyre ishin ende të hapura në dekadën e fundit dhe një pjesë mbeten të hapura edhe sot.
