Rusia është gati të pushtojë Ukrainën. Paralajmërimin e bëri ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Rusia ka rreshtuar armatën e saj pranë kufirit tonë që në mars dhe nuk e ka tërhequr më prej aty. Ajo që po shohim tani është një situatë e rënduar, ku Rusia po tregon se mund të aktivizojë me shpejtësi trupat e mbledhura dhe se çdo alternativë, përfshi edhe atë ushtarake, është marrë në konsideratë nga lidershipi rus”, tha Kubela në një konferencë të përbashkët për mediat me Stoltenberg.

Nga ana e tij, shefi i aleancës ushtarake të Atlantikut verior tha se përqendrimi i trupave ruse në kufirin me Ukrainën ngjason me atë që ndodhi para pushtimit të Krimesë. “NATO mbetet vigjilente, po e monitorojmë nga afër situatën dhe vijojmë të konsultohemi me partnerët, si Ukraina dhe Bashkimi Europian. Çdo veprim provokues ose agresiv nga ana e Rusisë do të ishte shqetësim i madh. I bëjmë thirrje Rusisë të tregohet transparente për veprimtarinë ushtarake. Është e rëndësishme të ulim tensionet. NATO qëndron pranë Ukrainës. Nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe i bëjmë thirrje Rusisë që t’i japë fund mbështetjes për militantët në Donbas”.

Në javët e fundit, dhjetëra mijëra trupa ruse, përfshi edhe njësitë speciale, janë pozicionuar në kufirin me Ukrainën. Kjo ka bërë që edhe Shtetet e Bashkuara të paralajmërojnë aleatët europianë që Moska po e mendon pushtimin e lindjes së Ukrainës. Rusia i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka akuzuar NATO-n për provokimin e tensioneve në rajon me stërvitjet ushtarake që kryen.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Tensionet janë rritur edhe më tepër në një tjetër pikë të nxehtë, në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, ku mijëra emigrantë nga Afganistani dhe Lindja e Mesme kanë ngecur aty, pasi nuk lejohen të futen në territorin e Bashkimit Europian. Polonia akuzon Bjellorusinë se po i përdor si armë refugjatët dhe gjithashtu thotë se është Putini orkestruesi i kësaj situate.