Shtetet e Bashkuara kanë informacione zbulimi sipas së cilave Rusia ka hartuar një plan për fabrikimin e një preteksti për pushtimin e mundshëm të Ukrainës, njoftojnë gazetat New York Times dhe Washington Post, duke cituar persona që janë në dijeni të kësaj çështjeje.
New York Times njofton se plani i Rusisë përfshin përdorimin e një videoje të rreme ku inskenohet një sulm që Moska do ta paraqesë si të kryer nga ushtria ukrainase, ose në territorin rus, ose kundër banorëve mbështetës të Rusisë në Ukrainën lindore.
Gazeta njofton se plani, që Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta parandalojnë duke e bërë publik, ka si objektiv, që videoja të përdoret për ta akuzuar Ukrainën për “gjenocid”.
“Më pas (Rusia) do të shfrytëzojë indinjatën ndaj videos për të justifikuar ndërmarrjen e një sulmi, ose për t’i shtyrë udhëheqësit separatistë në rajonin e Donbasit të Ukrainës lindore, që të kërkojnë një ndërhyrje ruse”, thotë New York Times.
Sipas gazetës, zyrtarët amerikanë, nuk do të publikojnë asnjë provë të drejtpërdrejtë të planit rus, ose detaje se si mësuan për të, për të mos komprometuar burimet dhe metodat e tyre.
Fushata disinformuese ruse, që ka në qendër akuza të rreme për gjenocid ndaj Ukrainës, si dhe veprimet e fundit të parlamentit rus për të njohur qeverisjet e rajoneve separatiste në Ukrainë, janë në përputhje me përfundimet e zbulimit amerikan.
Ndërsa gazeta “Washington Post” njofton se administrata ka në plan ta bëjë të enjten publik këtë informacion sekret.
Gazeta citon burime që janë në dijeni të planit rus të thonë se ai është hartuar nga shërbimet ruse të sigurisë dhe është në fazat e përparuara të përgatitjes.
“Plani ka lidhje, por është një plan më vete nga komplotet e tjera që janë zbuluar nga shërbimet perëndimore të zbulimit, përfshirë vendosjen e sabotatorëve nga Rusia në Ukrainën lindore dhe një tjetër skemë për të cilën njoftoi muajin e kaluar qeveria britanike, që synonte destabilizimin e qeverisë dhe vendosjen në fuqi të një udhëheqësi pro-rus në krye të saj”, i thanë zyrtarët gazetës Washington Post.
Shtëpia e Bardhë tha muajin e kaluar se zyrtarët e zbulimit amerikan kanë arritur në përfundimin se Rusia kishte dislokuar operativë të saj në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët, për të kryer akte sabotazhi dhe për të fajësuar Ukrainën për një gjë të tillë, duke krijuar kështu një pretekst për ta pushtuar.
Rusia ka mohuar të ketë plane për pushtimin e Ukrainës, por ka grumbulluar mijëra trupa në kufirin me fqinjin e saj./ Voa