Në natën e pestë të protestave të shkaktuara nga vrasja e një 17-vjeçari nga oficeri i policisë, autoritetet franceze arrestuan qindra persona, por raportimet nga i gjithë vendi treguan se trazirat ishin më të ulëta se ato të tre netëve të kaluara.
Deri në orët e para të mëngjesit në pranga u vendosen 486 persona, bëri me dije ministri i brendshëm francez, i cili tha se falë veprimeve të forcave të sigurisë situata ishte më e qetë dhe niveli i dhunës së protestuesve ishte më i ulët.
Ai sqaroi gjithashtu se edhe gjatë mbrëmjes të së shtunës dhe orëve të para të mëngjesit të së dielës në terren u vendosën 45 mijë oficerë, njësi speciale, automjete të blinduara dhe helikopterë.
Sheshet kryesore të Parisit, që zakonisht janë plot me turistë, mbrëmjen e së dielës u mbushën me oficerë policie dhe fasadat e dyqaneve u bllokuan, pas njoftimeve të demonstruesve për t’u mbledhur në këto zona.
Pika më e nxehtë ishte në Marsejë, ku policia hodhi gaz lotsjellës dhe zhvilloi disa beteja në rrugë me të rinjtë rreth qendrës së qytetit, deri në orët e vona të natës.
Megjithatë autoritetet raportuan më pak incidente se një natë më parë, me 56 dhe 21 persona të arrestuar, përkatësisht në Marsejë e Lion.
Të shtunën presidenti i vendit, Emmanuel Macron, shtyu vizitën e planifikuar në Gjermani, për të trajtuar krizën e protestave që vijnë jo më shumë se dy muaj pas demonstratave masive për reformën e pensioneve në maj.
Protestat e kësaj jave nisën të martën, kur 17-vjeçari me origjinë afrikane u vra nga policia në një incident trafiku.
Polici që e qëlloi është burgosur dhe po përballet me akuzën e vrasjes, por ngjarja ka ndezur sërish debatin për sjelljen e policisë dhe racizmin.
Gjatë pesë ditëve, protestuesit kanë djegur 2,000 automjete dhe më shumë se 200 oficerë policie janë plagosur, ndërsa mosha mesatare e të arrestuarve është 17 vjeç.