
Gjykata e Lezhës, ka lëshuar këtë të mërkurë 9 masa sigurie në kuadër të një hetimi të gjerë për tjetërsim pronash dhe ndërtime pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhun.
Sipas burimeve zyrtare, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë ish-zyrtarë të institucioneve vendore, punonjës të administratës publike dhe një efektiv policie.
Disa nga urdhër-arrestet janë ekzekutuar, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Bëhet fjalë për një hetim të nisur rreth tre vite më parë, që lidhet me ndërtime të paligjshme dhe tjetërsim pronash në zonën e mbrojtur të Ranës së Hedhun, ku më parë janë dënuar edhe zyrtarë të tjerë për çështje të ngjashme.
Masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Lezhës:
- Pjetër Tuci – “Arrest në burg”
- Gentian Malotaj, ish-drejtor i Kadastrës – “Arrest në shtëpi”
- Artur Shabaku, ish-shef i Legalizimeve – “Arrest në shtëpi”
- Artmir Maxhuni, zyrtar i Kadastrës – “Arrest në shtëpi”
- Luiza Bala – “Arrest në shtëpi”
- Hekuran Xhina – “Arrest në shtëpi”
- Flor Gjini, ish-drejtor i IKMT – “Ndalim i daljes jashtë shtetit”
- Kol Malaj, ish-drejtor i IKMT – “Ndalim i daljes jashtë shtetit”
- Martin Ndoka, Oficer në Postën Policore të Shëngjinit – “Pezullim nga detyra publike” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, e cila pritet të sqarojë rolin e secilit prej të dyshuarve në këtë çështje të rëndësishme që lidhet me abuzimet me pronat në një prej zonave më të frekuentuara turistike të vendit.
Ndërkohë që po këtë të mërkurë policia e Lezhës njoftoi finalizmin e operacionit “Harta”, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e një sërë pasurish të përfituara nga veprimtari kriminale.
Gjatë 1 jave, u konfiskuan 13 pasuri të paluajtshme, toka, me sipërfaqe totale 83 497 m², në Ranë të Hedhun, Ishull Lezhë, Tale dhe Vain si dhe 7 pasuri të ndodhura në bregun e lumit Drin dhe në fshatin Ishull Shëngjin, me sipërfaqe totale 15 028 m².